(VIDEO) Onishçenko i befasuar që po i merret shtetësia e RMV-së

(VIDEO) Onishçenko i befasuar që po i merret shtetësia e RMV-së

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur rreth shtetësisë së  oligarkut Oleksandër Onishçenko I cili është në listën e zezë të SHBA-së  deklaroi se në mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë është vendosur që të niset procedura për marrjen e shtetësisë personit në fjalë, megjithatë iu shmang përgjigjes rreth përgjegjësisë së drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, lidhur me shtetësinë e Onishçenkos.

 

Dimitar Kovaçevski

“Qeveria dërgoi komunikatë, me ç’rastë informuam se drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare e informoi qeverinë dhe Qeveria miratoi vendim për marrjen e shtetësisë. Informata më të zgjeruar nuk mund të japim sepse bëhet fjalë për informata të klasifikuara dhe shpërndarja e tyre paraqet vepër penale që është e dënueshme me ligj deri në 5 vjet burgim. Lidhur me udhëheqësin e ASK-së, për 20 ditë do të kemi drejtor të ri të ASK-së”.

Ndërkaq oligarku pro rus është befasuar me vendimin e qeverisë. Në një prononcim për “Sloboden Peçat”, Onishçenko tha se aplikimin e ka bërë me dokumente valide.

OLEKSANDËR ONISHÇENKO

“Në shtetësinë time nuk ka mashtrim asnjë gram. Nuk e di çfarë të them. Kërkuan nga unë ta prezantojë Maqedoninë dhe të ndihmoj për organizimin e Lojërave Olimpike. Nëse nuk duan, unë do ta bëjë këtë në mënyrën time. Këtë Federata e ka kërkuar nga unë”.

Ai ka sqaruar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet zyrtare gjatë aplikimit, pasaportën e tij ruse  dhe certifikatën nga libri amë.

OLEKSANDËR ONISHÇENKO

Kam edhe pasaportë ruse edhe ukrainase. Kur kam aplikuar për shtetësi të RMV-së e kam bërë me pasaportën ruse. Unë jam person zyrtar dhe nuk mund të kem dokumente jo valide”.

Pas skandalit me oligarkun pro rus që është në listën e zezë të shba-së, Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka filluar procedurë për shqyrtimin e dhënies së shtetësisë për të gjithë personat e veçantë kulturor, sportiv ose shkencor, për të parë nëse ka lëshime të tjera. /SHENJA/