(VIDEO) Një fraksion i VMRO-së kërkon dorëheqjen e Mickoskit

(VIDEO) Një fraksion i VMRO-së kërkon dorëheqjen e Mickoskit

Një fraksion i formuar brenda VMRO-DPMNE-së, në krye me ish ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Andonov, kërkojnë dorëheqjen e kryetarit aktual Hristijan Mickoskit. Në deklaratën për media, Andonov u shpreh se Mickoski është totalisht dhe plotësisht i harxhuar. Ndërsa më tej sqaroi se, nuk bëhet fjalë për parti të re politike, as për struktur të re, por do të veprojnë si fraksion politik brenda partisë, me të vetmin qëllim siç thonë, demokratizimin dhe revitalizimin e partisë dhe hapi i pare sipas tyre është dorëheqja e Mickoskit.

Oliver Andonov, ish ministër i MPB-së  

“Thirrje e hapur dhe publike për zotëri Mickoskin që të japë dorëheqje nga pozicioni, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe të hapë rrugën që të kryhen ndryshime demokratike të nevojshme dhe partia e cila në krijimin e saj është simbol i demokracisë, të kthehet përsëri në piedestalin si parti normale demokratike dhe jo si simbol i dekadencës politike”.

Gjatë press konferencës që po mbahej pikërisht para godinës së VMRO-s, nga brenda objektit lëshuan muzikë, gjë që e bëri Andonovin të dekoncentrohej nga fjalimi.

“Më vjen keq për këtë që po e bënë Qendra për komunikim, vërtetë kjo është punë që duket,  nuk e di edhe cilën këngë do të na e lëshojnë dhe faleminderit që po na e zbukurojnë press konferencën”.

Ndryshim të Mickoskit nga pozita e liderit para dy vitesh kanë kërkuar edhe disa ish funksionarë të VMRO-së, në mesin e të cilëve edhe Ivica Koneski, Nikolla Todorov, Mitko Jançev, Nikolla Poposki, Sasho Mijallkov, Gjulistana Markovska, Danella Rangellova, por iniciativa  e tyre u shua pas disa muajsh. Mirëpo, Andonov, as nuk e pranoi dhe as nuk e mohoi nëse ky fraksion ka të bëjë me atë të nisur dy vite më parë. Poashtu nuk tregoi as se sa persona e përkrahin këtë iniciativë dhe pse e kanë zgjedhur pikërisht këtë moment për ta bërë këtë gjë.

Andonov në postin e të parit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qëndruar vetëm 24 orë. Ai kishte qenë i propozuar nga VMRO-ja, gjatë Qeverisë teknike, në vitin 2016.  Emine Ismaili /SHENJA/