(VIDEO) Nisen për Vendet e Shenjta haxhilerët e parë nga Maqedonia e Veriut

(VIDEO) Nisen për Vendet e Shenjta haxhilerët e parë nga Maqedonia e Veriut

Grupi i parë prej 180 haxhilerëve nga Maqedonia e Veriut është nisur për në Vendet e Shenjta për të kryer kushtin e pestë të fesë Islame, Haxhin, raporton agjencia Anadolu. Përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame njpftuan se ka më shumë grupe të haxhilerëve, duke përfshirë edhe disa që nisen në datat 29 dhe 30 qershor. Gjithsej nga Maqedonia e Veriut sivjet janë 919 haxhilerë.

Shumica e haxhilerëve me emocione u përshëndetën me familjarët e tyre që kishin ardhur për t’i përcjellë në aeroport.

Grupi i parë përbëhej nga haxhilerët e Muftinisë së Gostivarit. Njëri prej tyre, 60-vjeçari Hafiz Ahmet Zendeli, i cili njëkohësisht është imam në fshatin Forinë të Gostivarit, u shpreh i kënaqur nga përgatitjet e bëra nga Muftinia, duke theksuar praninë edhe të udhëheqësve dhe personelit mjekësor.

Hafiz Ahmet Zendeli

“Jemi të kënaqur që Zoti na i mundësoi, e liroi (shkuarjen) haxhin pasi ishte e bllokuar dy vite më parë. Lusim Allahun Xh.Sh., të na i pranoje, të kthehemi me haxh të pranuar, të kthehemi shëndosh e mirë, familjet tona që i lamë mbrapa, t’i gjejmë shëndosh e mirë”

Ai u shpreh i emocionuar që është veshur në Ihram që nga Shkupi, duke theksuar se Haxhi shërben për të “ushqyer shpirtin” dhe duke shtuar se duhet ditur vlerën e vendeve që vizitohen.

Sipas informatave të siguruara nga BFI, është paraparë që haxhilerët e Maqedonisë së Veriut të kthehen në disa grupe në datat 21, 22 dhe 25 korrik. /SHENJA/