(VIDEO) Nënkryetari i Aleancës kërkon formimin e qeverisë teknike

(VIDEO) Nënkryetari i Aleancës kërkon formimin e qeverisë teknike

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, njëherësh Kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari kërkon formimin e menjëhershëm të qeverisë teknike, me qëllim të tejkalimit të krizave në të cilën gjendetr vendi. Sipas tij kjo qeveri që do të jetë e përkohshme do duhet të vendosë shembullin për të gjitha qeveritë e tjera që do të vinë.

ARBEN TARAVARI

“Qeveria Teknike do duhet ta ketë prioritet daljen nga kriza e dilemave historike dhe pajtimin e kalendarit qeveritar dhe atij të BE-sê me kalendarin e popullit ku dita është 24h! Po kjo qeveri e cila le të jetë e përkohshme do duhet të vendosë shembullin për të gjitha qeveritë e tjera që do të vinë, duke punuar e duke mos pritur elozhe e lëvdata por duke mbaruar me sukses deryrat e saj e duke shpëtuar vendin”.

Sipas Taravarit ky propozim del mbi çdo koncept partiak, madje edhe mbi vet partinë pasi , siç thotë ai, gjendemi jo në një udhëkryq por fatkeqsisht buzë greminës.

ARBEN TARAVARI

“Nuk ka as një minutë kohë për lojra politike apo për pseudo-strategji! Kovaçeski duhet të mbledhë menjëherë partitë politike dhe bashkë me to të mbledhë dhe mendjen, kurse partitë të vihen në front të kësaj pune që duhet zgjidhur ose tani ose ndryshe nuk do të ketë më vend për asnjë zgjidhje, nuk do të ketë ç’ujë të hidhet mbi një zjarr të shuar por që ka djegur gjithë vendin”.

Taravari shkruan se është e domosdoshme që inatet partiake të dalin jashtë zyrave vendimarrëse, jashtë mureve të selive pushtetare, dhe të fillojë të funksionojë një kabinet qeveritar që do të mbushë xhepat e qytetarëve dhe jo xhepat e tyre personalë.

Sipas tij, ndërhyrje imediate profesioniste kërkohet në pesë vatra që rrezikojnë gjithë vendin: 1. Korrupsioni; 2. Papunësia; 3. Arsimimi; 4. Shëndetësia; 5. Administrata

Taravari vlerëson se me shërimin e këtyre 5 pikave nevralgjike do të marrë frymë dhe ekonomia pasi Maqedonisë nuk i mungojnë paratë, i mungon transparenca. Një problem tjetër, thotë ai që po na kushton dhe ç’është më e keqja mund të na kushtojë më shumë nga ç’pandehim është raporti ynë me fshqinjët e afërt dhe të largët. “Diplomacia pra është një sektor shumë i ndjeshëm ku duhet ndërhyrje ndërpartiake, pa pasione politike, me kthjelltësi dhe vizion pasi është moment vendimtar për të ardhmen e vendi”.

/SHENJA/