(VIDEO) Në tre mujorin e dytë të këtij viti nga pikëpagesat rrugore janë mbledhur 12 milionë euro

(VIDEO) Në tre mujorin e dytë të këtij viti nga pikëpagesat rrugore janë mbledhur 12 milionë euro

Ndërmarrja Publike e rrugëve shtetërore në tremujorin e dytë të këtij viti ka inkasuar taksa në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh. Mjetet e grumbulluara janë 20.99 për qind e totalit të të ardhurave të planifikuara sipas kësaj baze për këtë vit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat nga taksat janë më të larta për 13,6 për qind, përkatësisht për 89.2 milionë denarë.

Kjo ndërmarrje  është një nga institucionet që duhet të zbatojë projektin e përbashkët për ngritjen e një pajisjeje të vetme të mbledhjes së taksave në vend, në Serbi dhe në Shqipëri në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Fillimi i projektit ishte paralajmëruar për në fund të shtatorit të këtij viti, por ende nuk ka nisur.

“Projekti është ende në fazën e rregullimit të sistemeve, krijimit të ueb aplikacionit dhe harmonizimit ligjor”, thanë për MIA-n nga kjo ndërmarrje.

Projekti duhet të sigurojë qarkullim më të shpejtë të automjeteve që, me mbledhjen elektronike të taksave, gjegjësisht me përdorimin e transponderëve të mikrovalëve (TAG), do të kalojnë pa u ndalur në pikë pagesat e vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur. Përdorimi i një pajisjeje për pagesë në të gjitha vendet anëtare, përveç fluksit më të shpejtë të trafikut, do të nënkuptojë edhe më pak ndotje, më pak konsum të karburantit, ulje të rolit të faktorit njerëzor etj.

Me procesin e modernizimit të stacioneve të pagesave në Korridorin 8, të gjitha stacionet e pagesave duhet të kenë të njëjtin sistem elektronik të mbledhjes së taksave, siç është vendosur në Korridorin 10.

Të gjitha stacionet ekzistuese të pagesave në Korridorin 8 do të rikonstruktohen për instalimin e sistemit elektronik të tarifave, në kabina dhe në korsitë e kalimit.

Enis Murtezi /SHENJA/