(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese të mërkurën në Kuvend, nuk pritet debat

Të mërkurën në Kuvend fillon debati final për ndryshimet kushtetuese. Deputetët do të duhet të diskutojnë për propozimin final të katër amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Qeveria dhe për ligjin kushtetues. Drejtuesit e Qeverisë dhe Kuvendit si datë të fundit për miratimin e ndryshimeve kanë përmendur 15 janarin, por ata shpresojnë se debati do të përfundojë edhe para kësaj date. Shpresa për përshpejtim të procedurës ka ngjallur vendimi i VMRO-DPMNE-së për të bojkotuar seancën plenare për ndryshimet kushtetuese. Në këtë seancë pritet të marrin pjesë vetëm 8 deputetët e përjashtuar tanimë nga koalicioni i drejtuar nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë formuar grup të ri parlamentar. Por, përveç tyre nuk përjashtohet mundësia që për amendamentet kushtetuese të votojnë edhe deputet të tjerë nga opozita maqedonase. Deputeti Panço Minov është një nga deputetët potencial për të marrë pjesë në seancë, pasi i njëjti pjesëmarrjen e tij e ka kushtëzuar kohë më parë me garanci për identitetin dhe debllokimin e integrimeve, kërkesa këto që në pjesën më të madhe janë pranuar. Qeveria ka pranuar edhe kërkesa të tjera të opozitës të cilat janë dorëzuar në lexim të dytë. Para propozimit të draft amendamenteve, deputet të shumicës dhe përfaqësues të Qeverisë kanë biseduar me grupin e pavarur prej tetë deputetëve dhe në amendamente janë plotësuar kushtet e tyre. Gjithashtu në lexim të dytë komisioni për çështje kushtetuese pranoi edhe një amendament për ndryshimin e amendamentit që ka të bëjë me shtetësinë ku u shtuan fjalët se shtetësia nuk përcakton përkatësinë etnike të qytetarëve. Pas miratimit të katër amendamenteve kushtetuese dhe ligjit kushtetues, Kuvendi i Greqisë pritet që të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe më pas edhe Protokolin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=bYfXGY6G8R4