(VIDEO) Mukoski hapi dyert e Kuvendit, firma e tij fitoi tenderë disa milionësh

Firma familjare e deputetit të amnistuar Kërsto Mukoski, qarkullon me tenderë disa milionësh nga institucionet shtetërore për vite me radhë. Sipas analizës së gazetës “Nezavisen” që ka siguruar dokumentacionet e tenderëve nëpërmjet qasjes së lirë deri tek informatat me karrakter publik, vëllai i Mukoskit, Boban Mukoski, që figuron si udhëheqës i firmës familjare “Atrium”, ka nënshkruar kontrata për ndërtim të stadiumeve sportive, shkollave, qendrave për kafshë, shtëpive të kulturës, qendrave për punësim e të tjerë dhe ka marrë shuma disa milionëshe nga buxheti shtetëror. Deri më tani nuk ka patur ndonjë hetim që do të njolloste tenderët që i ka fituar kjo firmë, edhe pse kohë më parë, sipas gazetës, policia financiare kishte nisur hetim për aktivitetet e firmës “”Atrium”, por nga ky hetim nuk kishte dalë kurrë ndonjë epilog. Gazeta ngritë dilemën nëse firmës së familjes së Mukoskit do ti shkonte biznesi aq mirë, nëse nuk do të ngrinte dorën për të votuar për ndryshimet kushtetuese.

Dokumentet që i ka siguruar “Nezavisen”, dëshmojnë se firma e familjes Mukoski, në nëntor të vitit të kaluar, ka fituar tender nga Ministria e Arsimit për rikonstruim të shkollës fillore “Dimka Angellov Gaberot” të fshatit Przhdevo, në vlerë 3,8 milion denarë. Në korrik të vitit 2018, ka fituar tenderë afro gjysmë milion denarësh, për zgjerimin e objektit shkollor në Sopishtë. Më 26 shtator, Qendra për zhvillim të rajonit juglindor ia ndan projektin për ndërtimin e një qendre për strehim të qenve endacak në Strumicë dhe Gjevgjeli, për 7,1 milion denarë. Edhe kryetari i Shkupit Petre Shilegov, më 25 qeshor, i ka ndarë firmës “Atrium” tender në vlerë prej 2,2 milion denarësh për fasadë me efikasitet energjetik të shkollës së mesme “Boro Petrushevski”.  Gjatë fundit të muajit nëntor, shteti i ka ndarë tender për rikonstruimin e shkollës “Nikolla Karev” në Probishtip. Këtë shërbim, “Atrium” e ka kryer për 90 mijë euro. Një tender tjetër në vlerë 2,8 milion denarësh “Atrium” e ka siguruar nga shkolla fillore “Josip Broz Tito” në fshatin Radozhda në Strugë, të cilës ia ka vendosur elektrikën dhe ngrohjen.

Firmës së familjes Mukoski, i ka shkuar mirë edhe bashkëpunimi me Shoqatën aksionare për ndërtim dhe menaxhim me hapësirë banesore dhe afariste, pasi në bashkëpunim me to ka fituar kontratë 64 milion denarëshe. Kontrata ishte për ndërtim të një objekti në rrugën “Gjorgji Vasilev” në Strumicë. Me komunën Ilinden, kjo firmë është marrë vesh që të ndërtojë një Shtëpi kulture në fshatin Marinë, që ka vlerën 1,5 milion denarësh. Komunës së Ohrit ia ka ndërtuar një fushë futbollli në vlerë prej 2,1 milion denarësh, ndërsa Agjencisë për punësim, ia ka rikonstruuar Qendrën e punësimit në Dibër, për 2,6 milion denarë.

Edhe pse kjo firmë qarkullon disa miliona denarë, ajo nuk ka një faqe zyrtare në internet. Kur konkurron për tenderët, shkruan se është një ndërmarrje e vogël për prodhim, tregëti, hotelieri dhe ndërtimtari, që ka vetëm dhjetëra të punësuar, por kur merr persipër ndonjë projekt, ajo angazhon firma tjera nënkontraktuese që ia zhvillojnë punimet. Por, se sa para ua paguan shërbimit firma që i merr tenderët, nënkontraktuesve, nuk dihet.

Firma e familjes Mukoski, ishte firma që kishte patur përsipër edhe ndërtimin e pjesëve ndihmëse të stadiumit “Filipi i Dytë”, në prag të Super Kupës së vitit 2018, ku duhej të luanin Real Madridi dhe Maçester Junajted. Pasi disa muaj para ndeshjes, stadiumi nuk ishte tërësisht gati, qe hapur konkurs për lyerjen e hapësirave ndihmëse të stadiumit. Tenderin e kishte fituar “Atrium”, por ish sekretari i Qeverisë Dragi Rashkovski, pati akuzuar se çmimi i dakorduar prej dhjetë eurosh për metër katror, ishte çmim tejet i lartë. Këto pohime i pati kundërshtuar udhëheqësi i firmës Boban Mukoski, duke siguruar se shërbimin ai do ta kryejë për 180 denarë për metër katrorë, e jo dhjetë euro. Dhe në këtë çmim, përfshihej edhe pastrimi, përgatitja, lyerja dhe riparimi i pjesëve të dëmtuara. Pati paralajmëruar edhe padi për shpifje kundër Rashkovskit. Padi megjithatë nuk kishte, ndërsa Qeveria edhe pse pati kërkuar që të hetohen të gjithë procedura ku kishte konkurruar “Atriumi”, ende opinioni nuk ka dëgjuar për ndonjë hetim.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=mvhMAqrKvAA