(VIDEO) MPJ: Përdorimi i termit “maqedonoveriorët”, nga Makron, gabim i paqëllimshëm

(VIDEO) MPJ: Përdorimi i termit “maqedonoveriorët”, nga Makron, gabim i paqëllimshëm

Përdorimi i termit “maqedonoveriorët” për të përshkruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut ka qenë gabim i paqëllimshëm nga presidenti i Francës, Emanuel Makron. Këtë e ka konfirmuar edhe kabineti presidencial i Makronit në një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani. Osmani kishte shprehur shqetësimin e tij disa ditë më parë për këtë gabim, ndaj të cilit reaguan edhe mediat dhe opinioni publik nga Maqedonia e Veriut. Por për Francën zyrtarisht vlenë Marrëveshja e Prespës dhe të gjitha përkufizimet e parashikuara në të.

MPJ
“Ministri i Jashtëm Bujar Osmani ka zhvilluar sot bisedë telefonike me Kabinetin e presidentit Emanuel Makron prej ku mori konfirmim se gjatë përdorimit të mbiemrit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, është bërë gabim i paqëllimshëm, duke konfirmuar  qëndrimin zyrtar të Francës për respektim të plotë të emrit zyrtar të shtetit, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe mbiemrat përkatës, ashtu siç janë definuar dhe pranuar në Kombet e Bashkuara, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës”.

Ndërkohë, një definicion të ngjashëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut ka bërë dje edhe kryeministri bullgar Kiril Petkov. Nga Ministria e Jashtme deri tani nuk janë përgjigjur nëse kanë kërkuar shpjegime nga kryeministri bullgar ose kanë dorëzuar notë proteste ndaj Bullgarisë. Sipas Marrëveshjes së Prespës, e cila është pranuar edhe në Kombet e Bashkuara, emri i plotë i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shtetasit nuk përdoret “maqedonoveriorë”, por “qytetarë” të Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/