(VIDEO) Mickoski paralajmëroi bllokadë të plotë të gjitha institucioneve

(VIDEO) Mickoski paralajmëroi bllokadë të plotë të gjitha institucioneve

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, gjatë protestet së mbrëmshme përsëri ka bërë thirje për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Mickoskit bllokada e nisur nga VMRO-DPMNE në Kuvend mund të marrë përmasa akoma më të mëdha nëse vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickovski theksoi se nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të kalojnë në bllokadë të plotë të institucioneve dhe protesta të vazhdueshme.

HRISTIAN MICKOSKI-KRYETAR I VMRO DPMNE

“Do të pyesë dikush, a do të ketë ndonjë dëm nga e gjithë kjo? Përgjigja është se ne po paguajmë tani dëmin më të madh dhe bllokada jonë do të jetë shpëtimi nga ai dëm. Nuk ka kohë për të pritur sepse kriza do të jetë edhe më e madhe dhe akoma më fatale. Po vjen dimri më i vështirë dhe me këtë qeveri do të jetë një cunam i vërtetë ekonomik për njerëzit,  kjo verë do të jetë verë protestuese”.

Mickoski theksoi se tani më do të pranojë vetëm takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ku do të bisedohet vetëm për zgjedhje të parakohshme dhe çështje kyçe. Ai i bëri thirrje Kovaçevskit që të mos e nënshkruajë propozimin francez në lidhje me veton bullgare dhe tha se nëse Qeveria vendos që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, atëherë qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së nuk ka ndërmend të zbatojë asnjë pikë të asaj marrëveshjeje.

HRISTIAN MICKOSKI-KRYETAR I VMRO DPMNE

 “Refuzojeni këtë propozim. Ne qëndrojmë pas jush. Sa i përket Bullgarisë, dua të theksoj se as unë dhe as VMRO-DPMNE nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje poshtëruese në dëm të interesave tona kombëtare. Nëse Qeveria vendos ta nxjerrë jashtë Kuvendit ose me dhunë, atëherë qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së nuk ka ndërmend të respektojë dhe zbatojë asnjë pikë të kësaj marrëveshjeje. Dy të tretat ose 80 deputetë ndryshojnë Kushtetutën dhe kjo varet nga VMRO-DPMNE. Përderisa unë jam kryetar, Kushtetuta nuk do të ndryshohet në mënyrë që kërkesat bullgare të jenë pjesë e saj”.

Sipas tij, propozimi i ri nuk është gjë tjetër veçse kapitullim dhe bullgarizim i vendit me këste ose nokaut diplomatik.

Protesta e mbrëmshme me moton “Protestë për Ndryshim- Shumë Është” u   përkrah nga disa parti të tjera opozitare. Në të morën pjesë rreth 50 mijë qytetarë.

Samir Mustafa /SHENJA/