(VIDEO) Mickoski: Nismën për referendum do ta korigjojmë, do ta përdorim emrin Maqedonia e Veriut

(VIDEO) Mickoski: Nismën për referendum do ta korigjojmë, do ta përdorim emrin Maqedonia e Veriut

Pavarësisht rezultatit të referendumit, VMRO DPMNE nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese me qëllim përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Kështu paralajmëroi sërish sot kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, i pyetur rreth nismës së kësaj partie për referendum kundër Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë. Mickoski thotë se duhet të dëgjohet zëri i popullit dhe të lejohet referendumi. Ai është i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm, por rezultati gjithsesi nuk do të ndikojë në qëndrimin e VMRO DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“E vetmja mënyrë për të parë nëse do të ketë pjesëmarrje është të mbahet ai referendum, ta mbështesim atë iniciativë dhe të shohim nëse qytetarët do të jenë “pro” apo “kundër”. I inkurajoj në mënyrë demokratike në drejtim të frymës evropiane që nuk pushon së dalë nga goja e tyre teksa vjedhin dhe tani ta bëjnë dhe të mobilizojnë ata pak që të dalin dhe të shprehin pëlqimin e tyre me politikat e tyre. Jam i sigurt se referendumi do të ketë sukses. Por pavarësisht nga rezultati, VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës në këto rrethana”.

Mickoski thotë se pushteti vetëm po gjen justifikime për të penguar referendumin. Ai tha se partia e tij është e gatshme që ta korrigjojë nismën dhe ta dërgojë me emrin kushtetues të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut, vetëm që të mos i japë argumente pushtetit që të bëjë pengesa.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Mund të gjejnë justifikime sa të duan dhe ta shtyjnë punën. Për ne ka rëndësi thelbi, jo formaliteti. Dhe nëse është pengesë, ne do ta korrigjojmë atë pengesë dhe do ta dorëzojmë ashtu siç ata e vlerësojnë se duhet të kryhet, vetëm për të pasur një procedurë të suksesshme, për t’i lejuar qytetarët në mënyrë demokratike të shprehen për politikat e qeverisë në lidhje me Marrëveshjen me Republikën e Bullgarisë”.

VMRO DPMNE dorëzoi iniciativë në Kuvend për të nisur procedurën për referendum. Nëse merr pëlqimin e Kuvendit, opozita synon të mbledhë të paktën 150 mijë nënshkrime, aq sa duhen për të iniciuar referendumin. VMRO DPMNE do të kërkojë nga qytetarët nëse janë pro apo kundër Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë të arritur në vitin 2017.  /SHENJA/