(VIDEO) Mickoski: Kovaçevski të japë dorëheqje, do ta rrëzojmë Qeverinë

(VIDEO) Mickoski: Kovaçevski të japë dorëheqje, do ta rrëzojmë Qeverinë

VMRO DPMNE do të vazhdojë aktivitetet e saj për rrëzimin e Qeverisë dhe shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kështu paralajmëroi sot nga Velesi kryetari i partisë opozitare maqedonase Hristijan Mickoski. Ai tha se opozita mund të vazhdojë pafundësisht të dërgojë iniciativa për referendum, por pushteti përmes kryeparlamentarit Talat Xhaferi po i refuzon ato në kundërshtim me ligjin. Një ditë, sipas Mickoskit, kur Xhaferi të mos jetë më kryetar Kuvendi dhe kur partia e tij të mos jetë pjesë e pushtetit, ata do të japin llogari për këtë çështje. Deri atëherë opozita do të fokusohet në ndërrimin e pushtetit.

HRISTIJAN MICKOSKI, VMRO DPMNE
“VMRO DPMNE do të vazhdojë ta rrëzojë këtë Qeveri të paaftë dhe kriminele deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

Mickoski vazhdoi të akuzojë kryeministrit Dimitar Kovaçevski për dezertim nga ushtria në vitin 2001, me arsyetimin se është i paaftë për të kryer ushtrinë. Ai thotë se arsyetimet që përdorë Kovaçevski për të mbuluar këtë skandal janë të rrejshme.

HRISTIJAN MICKOSKI, VMRO DPMNE
“Teza se për shkak të arsimit nuk ka qenë, pastaj ka qenë i penguar, pastaj nuk ka qenë më ushtria e obligueshme është tezë e rrejshme, ashtu siç është e rrejshme gjithçka që bën kjo Qeveri. Kanë dy rrugë se si tu drejtohen qytetarëve dhe të reflektojnë mesazhe, e para është gënjeshtra dhe e dyta është të tregohen si viktima dhe përmes keqardhjes të fitojnë simpati. Këtë e bëjnë vetëm njerëz të dobët dhe karakter të dobët”.

Mickoski thotë se kur njeriu synon pozitën e kryeministrit, duhet të ketë dhënë diçka për shtetin, e jo të dezertojë në momente kyçe. Prandaj kërkon nga Kovaçevski të pranojë se ka dezertuar dhe të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit.  /SHENJA/