(VIDEO) Mickoski kërkon zgjedhje në javën e tretë të majit

(VIDEO) Mickoski kërkon zgjedhje në javën e tretë të majit

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, vazhdon të këmbëngulë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme paralamentare, pasi sipas Mickoskit, kjo është e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë që ka kapluar vendin.

Për dallim nga herat tjera, i pari i VMRO-DPMNE-së, ka ofruar edhe dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Mickoski mendon se koha më e mirë për t’i ftuar qytetarët në kutitë e votimit është muaji maj, apo më saktësisht midis datave 14 dhe 21 maj. Ai e arsyetoi këtë pasi që në fund të prillit mbarojnë edhe festat fetare, siç janë muaji i Ramazanit dhe Pashkët.

 HRISTIAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-së

 “Besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse ka kaos, jo vetëm mes partive politike, por edhe brenda koalicionit qeverisës, e kam fjalën për LSDM-në, BDI-në dhe Alternativën, dhe se kaosi në koalicionin qeverisës ndikon keq në funksionimin e shtetit”

 Në anën tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski e ka bërë të qartë se zgjedhjet e rregullta do të mbahen në vitin 2024. Kreu i LSDM-së në pushtet vlerëson se zgjedhjet janë proces i kushtueshëm dhe shumë i rëndësishëm për qytetarët, prandaj nuk mund të mbahen sa herë që kërkon ndonjë parti politike.

Samir Mustafa /SHENJA/