(VIDEO) Mickoski kërkon të mos votohet propozimi francez, Kovaçevski: Jemi para një vendimi shumë të rëndësishëm

(VIDEO) Mickoski kërkon të mos votohet propozimi francez, Kovaçevski: Jemi para një vendimi shumë të rëndësishëm

Propozimi francez garanton gjuhën maqedonase dhe nuk përfshin çështjet historike dhe çështjet tjera bilaterale në kornizën negociuese me Bashkimin Evropian. Kështu vlerëson partia në pushtet LSDM e cila mbrëmë solli vendim në përkrahje të propozimit të presidencës franceze për tejkalimin e ngërçit me Bullgarinë. Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski tha se LSDM mbetet në kursin evropian, duke mbrojtur njëkohësisht gjuhën, identitetin dhe veçoritë kulturore e historike të popullit maqedonas.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“LSDM, si parti shtetformuese, mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për respektimin e pakushtëzuar të gjuhës, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elementë që në asnjë rrethanë nuk mund të negociohen me BE-në. LSDM pret që këto përcaktime dhe parime të përkrahen nga të gjitha subjektet politike në Kuvend duke nxjerrë konkluzione të mëtutjeshme për propozimin evropian, në përputhje me procedurat parlamentare”.

Por, pavarësisht vendimit të partisë në pushtet, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski u është drejtuar sot deputetëve të LSDM-së me kërkesë që të mos përkrahin propozimin francez. Nëse shumica parlamentare nuk e voton propozimin francez, Mickoski premton se do të heq dorë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe do ta përkrahë mbijetimin e Qeverisë.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Qëllimi im nuk është lufta për ta zhveshur pushtetin, por në radhë të parë mbrojtja e interesave shtetërore dhe kombëtare duke refuzuar një proces që është i dëmshëm për Maqedoninë. Dhe kjo duhet të jetë lufta jonë e përbashkët në të cilën të gjithë duhet të bashkohemi në anën e popullit dhe në anën e Maqedonisë sonë. Deputetë të LSDM-së, ju refuzoni informacionet e Qeverisë, dhe ju premtoj se nuk do të kërkoj zgjedhje dhe do të mbështes mbijetesën e kësaj qeverie, qoftë edhe si qeveri pakice, që Maqedonia të mos shantazhohet dhe poshtërohet”.

Këto reagime vijnë në prag të seancës parlamentare ku do të shqyrtohet propozimi francez, e që pritet të caktohet brenda kësaj jave. /SHENJA/