(VIDEO) Metodat brutale në stërvitje, Conte po ua merr shpirtin futbollistëve

(VIDEO) Metodat brutale në stërvitje, Conte po ua merr shpirtin futbollistëve

Punë dhe vetëm punë. Kjo është fjala më dëgjuar tek Tottenhami gjatë përgatitjeve parasezonale. Skuadra londineze ndodhet aktualisht në Korenë e Jugut për të luajtur miqësoren e parë të verës kundër K-League All-Stars, të mërkurën.

Është periudha e parë parasezonale me Antonio Conten trajner, pasi kur e mori detyrën, sezoni kishte nisur. Metodat kërkuese të trajnerit italian po i sfilitin lojtarët.

Pas seancës së të hënës së kaluar, Harry Kane volli në fushë, ndërsa Son shfaqi shenja dhimbjeje për shkak të mbilodhjes pasi kishte kryer një ushtrim duke e çuar trupin e tij përtej limiteve.

Pa dyshim, Antonio Conte është një trajner shumë kërkues në aspektin fizik. “Daily Mail” ka analizuar metodat e tij që kanë si synim ta bëjnë Tottenhamin një ekip të pathyeshëm.

Seanca e së hënës zgjati dy orë në mjedisin e lagësht të Seulit. Në fund të stërvitjes, kur të gjithë menduan se kishin përfunduar, Conte urdhëroi të bëhej edhe një ushtrim i mundimshëm vrapimi, që i kapi lojtarët në befasi, pasi nuk ishin paralajmëruar për këtë.

Tre përgatitës fizikë

Lloji i turneut aktual parasezonal, i bazuar më shumë në marketing sesa në përgatitje reale, e ndërlikon llojin e përgatitjes që i pëlqen trajnerit. Antonio Conte dëshiron që lojtarët e tij të jenë atletë të vërtetë, diçka që është vënë re që nga ardhja e tij te Tottenhami në nëntor. Ish-trajneri i Chelsea-t dhe Interit mori tre ndihmëstrajnerë për përgatitjen fizike. Mbërritën së bashku me Conten z. Costantino Coratti, Gian Piero Ventrone dhe Stefano Bruno.

Antonio Conte nuk përqendrohet vetën në punën fizike. Seancat e analizës së videove, të cilat janë të përditshme, janë jashtëzakonisht të detajuara. Te Chelsea italiani kishte kamera në terrenin e tij të stërvitjes dhe i përdorte pamjet në bisedat me ekipin para ndeshjeve.

Aspekti i tretë kyç për Conten është ushqimi. Gjatë javës së tij të parë te Tottenhami, italiani u sigurua që futbollistët të drekonin së bashku. “The Athletic” raportoi gjithashtu se ai hoqi “ushqimet e rënda dhe sanduiçet” nga menyja dhe “zhduku” ketchup-in dhe majonezën pasi vuri re se disa lojtarë ishin mbipeshë.

Conte ka ulur gjithashtu sasinë e vajit dhe gjalpit të përdorur për gatim. Ai gjithashtu i kërkoi skuadrës që të hante më shumë fruta.

Koha do të tregojë nëse metodat e trajnerit italian do të japin rezultatet e pritura. Është e qartë se lojtarët ishin “të vdekur” pas seancës së së hënës dhe imazhet e Kane apo Son bënë xhiron e botës.