(VIDEO) Merkel dhe Junker me mesazhe që të finalizohet procedura për emrin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka porositur sot nga Athina se zgjidhja e çështjes së emrit jo vetëm për dy vendet, por edhe për tërë Evropën. Ajo gjatë takimit me presidentin grek, Prokopis Pavlopulos, tha se për të gjithë në Evropë është mirë të ketë epilog të rëndësishëm në lidhje me çështjen e “Maqedonisë së Veriut”, por për këtë, qasja e guximshme është parakusht.

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë

“I konstatojmë përpjekjet e guximshme nga ana e Greqisë drejt fqinjëve në Ballkanin Perëndimor, kontributin e Greqisë që të ekzistoj emërues i përbashkët, konzistencë, kjo lidhet me çështjen e Maqedonisë së Veriut. Rezultati nuk është i mirë vetëm për ardhmërinë e vendit fqinj, por, sipas mendimit tim, mirë është edhe për Greqinë dhe për të gjithë neve në Evropë të ketë një epilog të rëndësishëm këtë, por për këtë parakusht është një qasje shumë e guximshme”.

Porosi për rëndësinë e zgjidhjes së këtij kontesti ka dërguar sot edhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker. Ai i pyetur sot gjatë pres konferencës me presidentin e Rumanisë, në lidhje me këtë çështje, i ka bërë thirrje Greqisë dhe Maqedonisë që të përfundojnë procesin për emrit në afatet e parapara.

Zhan Klod Junker, President i KE-së

“Janë të rrallë ata që para historisë marrin përgjegjësi të tilla dhe do të dëshiroja që ky proces të përfundoj me sukses në afatet e caktuara. Mund të inkurajoj të dy vendet, të dyja parlamentet të bëjnë atë që historia e kërkon nga ata”.

Ndërkohë, në agjendën e vizitës dy ditore të kancelares Merkel janë reformat ekonomike dhe kontesti i emrit me Maqedoninë. Vizita vjen në periudhën kur në Shkup po zhvillohet faza e fundit e votimit të ndryshimeve kushtetuese, menjëherë pas së cilit, nëse marrëveshja ratifikohet, duhet të nis procedura e votimit në Kuvendin grek.  Merkel ka realizuar takime edhe me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe me liderin e opozitës greke, Kirjakos Micotakis.

Nga ana tjetër, pritet që të zhvillohet edhe një takim mes kryeministrit Cipras dhe liderit të Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, në të cilën do të vendoset nëse Kamenos do të vazhdoj të mbetet në Qeveri, apo do të tërhiqet për shkak të mospajtimin për çështjen e emrit. Takimi i paraparë për sot është shtyrë. Kamenos tha se i njëjti do të mbahet pas përfundimit të procesit në Kuvendin e Shkupit.

Teuta Buçi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=YpeHqvdTY5U