` . (VIDEO) Masat anti-kovid hiqen nga rendi i ditës në Kuvend, VMRO kërkon kohë për të shqyrtuar maskat dhe mysafirët - TV SHENJA

(VIDEO) Masat anti-kovid hiqen nga rendi i ditës në Kuvend, VMRO kërkon kohë për të shqyrtuar maskat dhe mysafirët

Anulohet debati parlamentar për ndryshimet e ligjit për mbrojtje nga sëmundjet infektuese, që përmes amendamenteve ishte paraparë të vendosen masat e reja të rekomanduara nga Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe të miratuara edhe nga Qeveria. Ndërkohë derisa në Kuvend, po zvarritet seanca për miratimin e pakos së parë të masave mbrojtëse, në Qeveri duhet të diskutohet sot për pakon e dytë të masave që poashtu gjatë ditës së djeshme u propozuan nga Komisioni për sëmundje ngjitëse.

Në seancën e sotme parlamentare, propozimi për pakon e parë të masave ishte vendosur në rend dite, por me fillimin e seancës u mësua se kjo pikë ishte hequr nga rendi i ditës. Siç u mësua më vonë, diskutimi për këtë propozim është shtyrë me kërkesë të opozitës maqedonase, deputetët e të cilës kanë kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar materialin dhe propozimin konkret.

Me ndryshimet e ligjit për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse, parashihet obligimi i qytetarëve për të bartur maska në ambient të hapur, ndalesa për grupime të qytetarëve pas orës 22:00 në më shumë se katër persona, si dhe kufizimi i numrit të mysafirëve deri në katër persona më së shumti në një shtëpi.

Këto propozime konkretisht nuk figuronin në propozimin për ndryshimin e Ligjit, por nga shumica parlamentare kanë njoftuar se për shkak të urgjencës dhe kohës së kufizuar shkaku i pandemisë, kanë vendosur që ndryshimet e këtilla ti bëjnë përmes amendamenteve.

Nga VMRO-DPMNE në disa prononcime për mediat në gjuhën maqedonase kanë thënë se edhe masat e mëparshme kanë qenë të mira, por ata kanë akuzuar se nuk ka pasur zbatim të të njëjtave. Sipas opozitës, shumë institucione nuk e kanë kryer punën si duhet dhe nuk kanë treguar kujdes për respektimin e masave.

Arben Zeqiri /SHENJA/