(VIDEO) Maqedonia pritet të goditet nga cikloni i të ftohtit

Enti për Punë Hidrometeorologjike paralajmëron ciklonin Bojana, i cili do të shoqërohet me temperatura shumë të ulëta që do të arrijnë deri në -20 gradë dhe erë të fuqishme, shpejtësia e së cilës do të arrij deri më 80 km në orë.

Meteorologu Boris Sekirarski thotë se formimi i ciklonit të ri Bojana do të filloj të formohet në orët në vazhdim, ndërsa vranësirat do të fillojnë të zmadhohen nga orët e pasdites.  Reshjet e borës do të paraqiten në pjesën veriperëndimore të cilat gjatë natës do të shpërndahen gjithandej dhe do të intensifikohen.

Boris Sekirarski, meteorolog
“Në orët e para të pasdites do të kemi reshjet e para të borës në pjesën veriperëndimore të vendit. Këto reshje do të përhapen në gjithë rajonin, në rrjedhën e Vardarit do të ketë fillimisht reshje te shiut që më pas do të shëndrrohen në reshje të borës. Reshjet më të shpeshta do të jenë në pjesën veriperëndimore dhe në jug të vendit ku do të jenë intensive dhe do të vazhdojnë gjatë natës”.

Sipas tij, pothuajse gjithandej do të formohet shtresë e bardhë dhe gjithë kjo do të jetë e shoqëruar me erë të fuqishme. Më e theksuar do të jetë në pjesët perëndimore dhe ato jugore, të cilat në qytete do të jenë nga 10-15 centimetra, derisa në vendet malore do të jetë 30 centimetra. Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe nesër dhe në disa vende era veriore do të jetë shumë e fuqishme dhe do ta arrij shpejtësinë deri 80 km në orë. Temperaturat maksimale nesër do të bien dhe do të lëvizin në interval prej -5 deri 2 derisa edhe më ftohtë pritet të jetë të premten me temperaturat maksimale nga -7 deri  në 0 gradë, ndërsa në mëngjes në të gjitha vendet do të jetë rreth -15 kurse në vendet malore -20 gradë.

Për shkak të temperaturave shumë të ulta do të ketë edhe ngrica kështu që udhëtarëve dhe shoferëve ju sugjerohet të jenë shumë të kujdesshëm.

Emine Ismaili /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=wM6OK-Dm5YI