(VIDEO) LSDM: Pas Arsovskës, Mickoskin e braktis edhe Micevski!

(VIDEO) LSDM: Pas Arsovskës, Mickoskin e braktis edhe Micevski!

Në VMRO DPMNE gjithnjë e më shumë po zgjohen zërat kundër politikave destruktive të Hristijan Mickoskit. Kështu LSDM-ja në pushtet e komenton intervistën e koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-së, Nikolla Micevski. Sipas partisë në pushtet, qëndrimi i Micevskit se partia e tij nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë është qëndrim radikalisht i kundërt me qëndrimin destruktiv të Mickoskit.

LSDM
“Vazhdon përçarja në VMRO DPMNE. Pas Danella Arsovskës, edhe Nikola Micevski ia ktheu shpinën Hristijan Mickoskit. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së me qëndrim të kundërt nga Mickoski dhe ndryshim radikal të qëndrimeve. Deklarata e Nikolla Micevskit se VMRO DPMNE nuk është kundër ndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve, si dhe popujt tjerë, do të thotë kundërshtim radikal të politikave destruktive të Mickoskit”.

Por, vetë Micevski ka reaguar duke demantuar mënyrën se si është transmetuar intervista e tij nga mediat. Sipas tij, titulli se VMRO DPMNE nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese është titull problematik, pasi nuk është përfshirë pjesa tjetër e fjalisë ku flet për politikat diskriminuese dhe pasojat negative nga Marrëveshja me Bullgarinë.

NIKOLLA MICEVSKI, VMRO DPMNE
“Theksoj se sjelljen e tillë tendencioze dhe joprofesionale gazetareske dhe transmetimin e tillë të qëndrimeve të mia nuk do ta lejoj. Se bëhet fjalë për sulm të orkestruar ndaj meje si deputet dhe koordinator i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend por edhe sulm të orkestruar ndaj partisë, këtë e konfirmon fakti që gjatë periudhës së kaluar opinioni maqedonas është dëshmitar i tentativave dëshpëruese dhe në panik për krijimin e përçarjes dhe defokusim nga problemet reale dhe krimet e pushtetit”.

Maqedonia e Veriut ka marrë obligim për ndryshim të Kushtetutës me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në Prambulë, para hapjes së kapitujve me Bashkimin Evropian. Megjithatë pushteti nuk i ka 80 deputetë për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski ka thënë se partia e tij nuk do t’i mbështesë këto ndryshime. /SHENJA/