(VIDEO) Ligji për parandalimin e korrupsionit të hënë në procedurë parlamentare

Ligji për parandalimin e korrupsionit të hënën do të hyjë përsëri në procedurë parlamentare, por tani me një flamur evropian, dhe me procedurë të shkurtuar. Sipas informacioneve të cilat na i përcolli ministrja e drejtësisë Renata Deskovska, ky ligj ka prioritet nga të gjithë ligjet e tjera, pasi shteti tashmë një  kohë të gjatë ka mbetur pa ekip që do të monitorojë pasurimin e funksionarëve dhe partive. Deskovska tha se ka mundësi që gjatë fillimit të javës së ardhshme, 20 deputetë të nënshkruajnë kërkesë për thirrjen e një seance urgjente për shqyrtimin dhe votimin e ndryshimeve. Deskovska tha se kanë disa dallime me deputetët e VMRO DPMNE-së për kompetencat e Komisionit Anti korrupsion, por ajo i tregoi linjat  e kuqe nga të cilat tha se nuk mund të zmbrapset.

Renata Deskovska, ministre e drejtësisë

“Apeloj deri tek deputetët e VMRO-së që të vetëdijesohen për rëndësinë e Ligjit antikorrupsion, dhe të heqin dorë nga disa kërkesa…Vlerësoj se këto kërkesa nuk mund të plotësohen, por edhe po të pranoheshin, kjo do të thotë se do të devijonim nga rekomandimet e komisionit Evropian, që është diçka e papranueshme për neve si Qeveri. Apeloj edhe njëherë deri tek deputetët e VMRO-së që të heqin dorë nga amendamentet e tyre që do të cënojnë seriozisht kualitetin e ligjit. Të përshpejtojmë procedurën dhe të sjellim ligj evropian”

Për Deskovskan është e papranueshme kërkesa e VMRO DPMNE-së që Komisionit Antikorrupsion, ti hiqet kompetenca për të kontrolluar në çfarëdo kohe llogaritë bankare të funksionarëve. Nuk i pranon as kriteret që një anëtar i Komisionit të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie në dhjetë vitet e fundit, apo të mos ketë qenë donator i ndonjë partie politike. Për VMRO-në e kontestueshme është edhe kompetenca e Komisionit për të kontrolluar financimin e partive politike. Për partinë opozitare nuk është i pranueshëm as fakti që me ligjin e ri, denoncues të krimeve financiare mund të jenë edhe persona fizik, njerëz të thjeshtë, por edhe juridik, ose parti politike.

Kërkesë e VMRO-së që është në një linjë edhe me kërkesat e BDI-së, është që Komisioni doemos të numërojë shtatë anëtarë, e jo pesë, siç dikton propozim ligji. BDI-ja kërkon shtatë anëtarë, në mënyrë që dy të jenë shqiptar.

Ligji anti korrupsion para vitit të ri ishte në procedurë parlamentare, por për shkak të numrit të madh të amendamenteve të VMRO-së, ligji u tërhoq në përpunim, dhe tani do të rikthehet me flamur evropian, në mënyrë që të përshpejtohet procedura. Për t’u votuar ligji, nevojiten 80 vota.  Pas votimit në Kuvend, duhet që të shpallet thirrje për zgjedhje të anëtarëve e cila zgjat së paku 8 ditë, ndërkaq më pas do të duhet të ketë intervista të kandidatëve në Parlament, gjë që do të duhet të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e Kuvendit. Më pas bëhet vetëm zgjedhja dhe verifikimi i mandatëve të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit.

Antikorrupsioni ka afro 10 muaj që nuk është në funksion, pasi garnitura e kaluar, dha dorëheqje nën presion publik, pasi media zbuluan se ishin bërë keqpërdorime të shumta të parave të buxhetit me llogari të rrejshme dhe me evidencë të rrejshme për orar të punës.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

 

https://www.youtube.com/watch?v=goqXbMqpIag