` . (VIDEO) Ligji i shtetësisë: Zaev paralajmëron se të hënën do të merren vesh me koalicionin - TV SHENJA

(VIDEO) Ligji i shtetësisë: Zaev paralajmëron se të hënën do të merren vesh me koalicionin

Kryeministri Zoran Zaev sot ka paralajmëruar datë të re për takim me liderët e opozitës shqiptare. Ai ka paralajmëruar se të hënën do të ulet me drejtuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për të gjetur një zgjidhje për të gjithë qytetarët pa shtetësi. Zaev ka shtuar se dëshmitarët nuk janë zgjidhje për marrjen e shtetësisë, por do të precizohen rreth 10 deri 15 kushte të theksuara në mënyrë taksative. Me plotësimin e njërit kusht, ashtu si në vitin 2004-2005, kryeministri Zaev shpreson se pjesa më e madhe e atyre qytetarëve do të mund të marrin shtetësi. Zgjidhja sipas kreut të Qeverisë do të kërkohet në eliminimin e pengesave të deritanishme ligjore dhe procedurale.

Zoran Zaev

“Gjithsesi analiza në vete tregon se ku kanë pasur pengesa të gjithë ata qytetarë dhe I shohim në shifra se 530 në një sferë, 220 në një sferë, 136 në një sferë. Kështu që I shohim të gjitha detajet sipas analizave në vitet e fundit që kanë qenë pengesë për marjen e shtetësisë. T’i japim mundësi takimit të hënën të gjejmë zgjidhje dhe është radha që kërkuesi i këtij takimi, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa t’i kumtojnë në fund edhe zgjidhjet dhe ne të dalim me ata dhe të themi se çfarë është ajo për çka është arritur marrëveshje. Pra pres që të gjindet zgjidhje duke i ditur të gjitha detajet e analizave, pas takimit të punës që patëm me ministrin dhe zëvendës ministrin e punëve të brendshme, në takimin e ardhshme mendoj se zgjidhja është e pritshme që të hënën do të duhej të bëhet publike për opinionin”

Zaev ka potencuar se zgjidhjet optimale i ka konsultuar edhe me partnerët e koalicionit qeveritar dhe pret që zgjidhja ligjore që do të dakordohet të hënën, do ti arrijë qëllimet. Ai është optimist se nga kjo zgjidhje do të përfitojnë shumica dërmuese e qytetarëve që ballafaqohen me këtë problem, përveç ndonjë rasti që nuk përmbush asnjë nga kushtet që do të theksohen.

Arben Zeqiri /SHENJA/