(VIDEO) Liderët e partive përshëndesin miratimin në Kuvend

(VIDEO) Liderët e partive përshëndesin miratimin në Kuvend

Sapo u votua propozimi francez në Kuvend, nisën edhe reagimet dhe urimet e partive dhe politikanëve që votuan pro këtij propozimi.

Kryeministri Kovaçevski falenderoi deputetët për siç tha kapacitetin demokratik që tregua dhe që votuan për ardhmërinë e shtetit.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër

“Nuk ka patriotizëm më të madh nga mbështetja e prosperitetit të vendit dhe nga vendime që janë të interesit më të lartë për shtetin dhe qytetarët. Përfundimisht gjuha maqedonase do të jehoj gjithandej nëpër Evropë. Kështu duhet shteti, me vendime të guximhshme dhe shtetërore”.

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndeti vendimin historik pro propozimit francez të miratuar nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që siç thonë vulosi orientimin ideologjik të vendit, atë të integrimit në Bashkimin Europian.

BDI

“Sot triumfoi racionaliteti, u ruajtën rrënjët europiane të vendit dhe u mposhtën tentativat destruktive të forcave regresive proruse. Qytetarët e vendit nuk ranë pre e mashtrimeve, provokimeve, konfuzionit dhe nuk përkrahën protestat që kishin për qëllim të kthejnë vendin prapa pas gjithë atyre sakrificave dhe arritjeve të përbashkëta”.

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi thotë se është arritur fitorja e parë evropiane.

Afrim Gashi, lider i Alternativës

“Sot, më në fund, Kuvendi i RMV-së i votoi konkluzionet për pranimin e propozimit të KE-së për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Kështu e kemi përmbushur detyrimin tonë historik si shtet dhe si komb, ndërsa në këtë mënyrë është përmbushur edhe pika e parë e marrëveshjes së Alternativës për inkuadrim në Qeveri”.

Në urimin e tij, kryetari i ASH-së Ziadin Sela u shpreh se deputetët e Aleancës për Shqiptarët ishin vendimtarë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për miratimin e konkluzave për propozimin francez.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

“Partitë serioze, të përgjegjshme dhe të sinqerta shihen në ditët vendimtare, kur pa pazare, me dije, guxim dhe fytyrë të pastër, duke qenë edhe në opozitë sjellin vendime të rëndësishme e shpëtojnë procese vendimtare për të ardhmen e qytetarëve. Sot deputetët e Aleancës për Shqiptarët ishin vendimtarë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për miratimin e konkluzave për propozimin francez”.

Deputetët e shumicës gjatë debatit tre ditor e kishin vështirë të mbanin fjalime në Kuvend, përshkak se pengoheshin nga kolegët e tyre nga opozita në forma të ndryshme.

Emine Ismaili /SHENJA/