(VIDEO) Letër nga Stoltenberg: Marrëveshja e Prespës të përfundojë deri më 15 shkurt

NATO pret që deri më 15 shkurt, parlamenti i Maqedonisë dhe ai i Greqisë të përfundojnë të gjitha procedurat rreth Marrëveshjes së Prespës për emrin. Kjo sipas gazetës greke Katimerini thuhet në letrën e Stoltenbergut, ku potencohet se Aleanca Veri-atlantike dëshiron proces sa më të shpejtë të jetë e mundur.
Katimerini
“Ekziston një letër e Sekretarit gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën bëhet thirrje për përfundim të të gjitha procedurave në dy kryeqendrat deri më 15 shkurt të vitit 2019”

Në Kuvendin e Maqedonisë faza e fundit e rrumbullaksimit të Marrëveshjes së Prespës fillon më 9 janar për kur është caktuar seanca plenare me katër pikat e rendit të ditës, vërtetimi i propozim amendamenteve kushtetuese, miratimi i tyre, shpallja e amendamenteve dhe miratimi i propozim ligjit për implementimin e tyre. Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë në fazën përfundimtare të ndryshimeve kushtetuese. Kjo ka rritur shpresat se seanca do të kalojë pa opstrukcione dhe zvarritje siç ka ndodhur në të kaluarën përmes diskutimeve maratonike, andaj dhe pritet që e njëjta të përfundojë para 15 janarit, datë kjo e caktuar si e fundit për miratimin e amendamenteve. Për këtë tanimë janë siguruar edhe votat e nevojshme të dy të tretave të deputetëve në Kuvend. Nga ana tjetër edhe në Kuvendin e Athinës procedurat po shpejtohen gjithnjë e më shumë. Zëdhënësi i Qeverisë greke Dimitris Sanakopulos në një intervistë për Njus24 ka konfirmuar qëndrimin se në Kuvend ekziston shumicë për ratifikimin e Marrëveshjes. Sipas liferimeve të deritanishme edhe atje është siguruar shumica e nevojshme prej 151 votave për të miratuar ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, Kuvendi i Greqisë menjëherë pritet të ratifikojë edhe protokolin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=UN6utKO5AGo