` . (VIDEO) Lamtumirë PSP, hyn në fuqi Ligji i ri i Prokurorisë - TV-SHENJA

(VIDEO) Lamtumirë PSP, hyn në fuqi Ligji i ri i Prokurorisë

Sot edhe zyrtarisht shuhet Prokuroria Speciale Publike. Ndërkaq, hyn në fuqi ligji i ri për Prokurori Publike. Prokurori shtetëror publik Lubomir Jovevski siguroi se Prokuroria Publike është e gatshme dhe me përkushtim dhe angazhim të madh të fillojë me zbatimin e dispozitave nga Ligji i ri për Prokurorinë Publike që sot hyri në fuqi. Në një intervistë për MIA-n, Joveski në lidhje me lëndët e PSP-së, tha se Prokuroria Publike i ndërmori ato që të vazhdojnë procedurat dhe kryesit e veprave penale ta marrin dënimin e merituar.

Lubomir Joveski, prokurori shtetëror publik

“Prokuroria nuk do ta përsërisë gabimin, kur për shkak të mosveprimit për raste konkrete u formua PSP. Për shkak të kësaj, ju siguroj se këto lëndë do të marrin fund. Kriza shëndetësore, solli ndërprerje në të gjitha sferat e jetës, e kështu dhe në punën e organeve gjyqësore, që ishte vendosur nga prioriteti që të ruhet shëndeti i të gjithë personave të përfshirë në procedura. Prokurorët veprojnë për lëndët dhe pas tyre do të sillen vendime për të cilat opinioni do të njoftohet me kohë”.

Nga partia në pushtet LSDM, thonë se sot hyn në fuqi ligji për Prokurori Publike, i cili është garancion për ndërtim të shtetit të fuqishëm, të pavarur dhe të drejtë.

Ndërkaq, të punësuarit në PSP, shërbimi-teknik profesional dhe administrativ dhe me hulumtuesit,  një ditë më parë u përshëndetën nga institucioni ku kishin punuar, i cili institucion që siç ishte premtuar, duhej të sillte drejtësi në vend. Kurse prokuorët special tashmë janë të shpërndarë nëpër prokuororitë themelore të Maqedonisë së Veriut. Ish prokurorja speciale dhe njëherësh ish zëdhënësja e PSP-së Lençe Ristoska me këtë rast në rrejtin e saj social facebook, shkroi se është e hidhur shija e ndarjes dhe e të gjitha planeve të parealizuara, por të ëmbla mbeten kujtimet për tejkalimin e sfidave të përbashkëta dhe shpërndarjes së energjisë.

 Lençe Ristoska, prokurore speciale

“Mënyra përmes së cilës u shua PSP-ja, mënyra në të cilën askush nuk gjeti guxim në mënyrë eksplicite të thotë që institucioni është shfuqizuar, mendoj se nuk meriton koment, sepse lufta për drejtësi është reale vetëm kur është fryt i kërkesës së brendshme për përgjegjësi, fillimisht personale dhe më pas e të gjithëve të cilët kanë gabuar para ligjeve, nxitje për jotolerancë të mosndëshkimit, nxitje për sjellje parimore me integritetin”.

Për rikujtim, PSP doli nga Marrëveshja e Përzhinos, e nënshkruar nga liderët e partive më të mëdha politike në vend. Në funksionin e Prokurorit Special Publik, të Këshillit të prokurorëve publik në shtator të 2015-tës, u zgjodh Katica Janeva. Katër vjet më pas, pikërisht Janeva që përndiqte krimin dhe korrupsionin e lartë, ajo u deklarua fajtore për rastin “Zhvatja” dhe mori 8 vjet burg, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit.

Emine Ismaili /SHENJA/