(VIDEO) Kuvendi i përgatitur konkluzat për propozimin francez

(VIDEO) Kuvendi i përgatitur konkluzat për propozimin francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka përgatitur propozim konkluzat për seancën ku do të shqyrtohet Informacioni i dërguar nga Qeveria për propozimin francez. Propozim konkluzat do të shërbejnë për orientim të Qeverisë se si të sillet në raport me integrimin evropian dhe kontestin me Bullgarinë, por nuk ndërhyjnë në tekstin e propozimit francez. Seanca duhet të caktohet brenda javës, ndërsa mund të zgjasë dy ose tre ditë. Siç mësohet, tashmë është e qartë se propozimi francez do të miratohet në Kuvend duke kaluar pragun e nevojshëm të votave. Atë e mbështesin LSDM, BDI, Alternativa, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët. Nuk dihet se si do të votojnë partnerët e vegjël të koalicionit të LSDM-së – Lidhja Demokratike, Partia Liberal Demokrate dhe Ripërtrirja Demokratike e Maqedonisë. Kryetari i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanaov kërkoi sot që propozim konkluzat të përgatiten me konsensus më të gjerë ku do të merren parasysh edhe qëndrimet e partive opozitare. Trajanov paralajmëron se nëse nuk ka konsensus më të gjerë politik, atëherë partia e tij nuk do t’i votojë propozim konkluzat.

PAVLE TRAJANOV, LIDHJA DEMOKRATIKE
“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike rreth kësaj çështje strategjikë është se duhet të sigurohet konsensus më i gjerë. Në këtë drejtim, Kuvendi duhet të sjellë konkluza që janë të pranueshme për shumicën e deputetëve, për të gjitha partitë më të rëndësishme të përfaqësuara në Kuvend, përfshi edhe opozitën”.

Partia opozitare VMRO DPMNE nuk pranon as debat në Kuvend rreth propozimit francez deri sa deputetët të marrin të gjitha dokumentet përkatëse, përfshi edhe Protokollin maqedono-bullgar për çështjet historike. Megjithatë paralajmërimet janë se ky protokoll nuk do të publikohet para se të nënshkruhet mes ministrive të jashtme. Ndërsa nënshkrimi i protokollit është parashikuar pas miratimit të konkluzave në Kuvend. /SHENJA/