(VIDEO) Kushtetuta në prag të ndryshimit, nga mes i janarit pritet votimi

Edhe tre ditë kanë mbetur deri në  fazës e fundit të ndryshimeve kushtetuese. Për tu miratuar ndryshimet do të nevojitet shumicë prej 2/3.

Më 9 janar është caktuar seanca ku deputetët do të duhet të diskutojnë për propozimin final të katër amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Qeveria dhe për ligjin kushtetues, ndërsa në këtë debat nuk do të marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, por do të marrin pjesë 8 deputetët e përjashtuar nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Sipas paralajmërimeve më 15 janar do të përmbyllet i gjithë procesi i ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës.

Gjatë debatit në lexim të parë dhe të dytë, shumica parlamentare dhe qeveria kanë pranuar vërejtjet dhe amendamentet e tetë deputetëve nga grupi i pavarur parlamentar nga VMRO-DPMNE. Gjithashtu janë pranuar edhe amendamenti i Aleancës për Shqiptarët për përfshirjen e Kosovës në Kushtetutë si dhe një amendament me të cilin definohet se shtetësia maqedonas, qytetar i Maqedonisë së Veriut nuk definon përkatësinë etnike të qytetarëve.

Amendamentet kushtetuese do të konsiderohen të miratuara nëse për to votojnë 80 deputetë, ndërsa për amendamentin e Preambulës së Kushtetutës përveç dy të tretave, i nevojshëm është edhe votimi me Badenter.

Kryeministri Zoran Zaev ditë më parë ka deklaruar se 76 deputetë i kanë konfirmuar se do të mbështesin fazën e fundit të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, por ai është  shprehur optimist se ky numër do të rritet edhe më shumë, gjegjësisht që pro ndryshimeve të votojnë edhe deri në 85 ose 90 deputet pasi që të shqyrtohen të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e deputetëve të cilët kanë paralajmëruar amendamente ndaj propozim amendamenteve kushtetuese. Gjatë këtyre ditëve janë shtuar bisedimet me deputetët që janë shprehur të lëkundur për votimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe bisedime veçe veç me deputetë të VMRO-së.

Pasi të përfundojë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, menjëherë pritet që në Athinë të fillojë procedura për miratimin e Marrëveshjes së Prespës dhe protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Kujtojmë se më 19 tetor deputetët në Kuvend me 80 vota “për” sollën vendim për hapjen e Kushtetutës dhe ndryshimin e saj sipas Marrëveshjes së Prespës.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=Xj_GDG0qe6M