(VIDEO) Kryetarja e KE-së, Ursulla Von der Layen do të vizitojë Ballkanin Perëndimor

(VIDEO) Kryetarja e KE-së, Ursulla Von der Layen do të vizitojë Ballkanin Perëndimor

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla Von der Layen, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku mesazhi kryesor është përkushtimi i BE-së për integrimet evropiane të rajonit. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, njofton se Ursula von der Leyen, nga e mërkura nis një turne të ri nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike.

ERIC MAMER, ZËDHËNËS I KOMISIONIT EVROPIAN

“Mesazhi është solidariteti i BE-së me rajonin, angazhimi përmes programeve që synojnë nxitjen e investimeve dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë rajonin”.

Lidhur me kërkesën e Maqedonisë së Veriut për të marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian për blerjen e energjisë elektrike nga Bullgaria përmes kompensimit me çmimin e tregut, Mamer tha se për momentin nuk ka informacion për këtë temë.

Ndërkaq, zëdhënësi për Energjetikë  i Komisionit Evropian, Tim Mekfi ditë më parë tha se kjo kërkesë e Maqedonisë së Veriut nuk është në tavolinë në Bruksel. Sipas tij, mbetet të shihet nëse autoritetet maqedonase do të pyesin sërish Von Der Leyen dhe nëse ajo do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë.

Përndryshe, pas Shkupit, kryetarja Von Der Layen,  do të udhëtojë të enjten në Prishtinë dhe Tiranë, të premten në Sarajevë dhe Beograd dhe të shtunën në Podgoricë.

Samir Mustafa /SHENJA/