(VIDEO) Kryeministri Kovaçevski thotë se pakicat bullgare do të hyjnë në Kushtetutë

(VIDEO) Kryeministri Kovaçevski thotë se pakicat bullgare do të hyjnë në Kushtetutë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ka asgjë kundër kërkesës së Bullgarisë që pakica bullgare të përmendet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse presidenti Stevo Pendarovski e vlerësoi këtë kërkesë bullgare si përzierje në punët e brendshme të shtetit tonë, kryeministri shprehet shumë më i hapur. Megjithatë ai sqaron se ndryshimet kushtetuese janë procedurë e gjatë dhe kërkojnë konsensus politik. Kjo gjë sipas Kovaçevskit mund të bëhet realitet kur të hapet Kushtetuta gjatë anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

 DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Ekziston procedurë në shtet që quhet ndryshime kushtetuese dhe zgjatë pak më gjatë dhe duhet konsensus më e gjerë edhe në Kuvend. Në një moment të caktuar kur të hyjmë në BE ne edhe atë do ta bëjmë, duke marrë parasysh se duhen ndryshime kushtetuese. Ne mund të flasim për mënyrën dhe procedurën, si dhe momentin kur do të bëhet kjo, por megjithatë kjo duhet të bëhet me dialog brenda shtetit dhe normalisht në bisedime me Bullgarinë”. 

Kovaçevski në një intervistë për Kanal 5 sqaroi se është optimist për gjetjen e zgjidhjen me Bullgarinë. Megjithatë kryeministri nënvizoi se gjuha dhe identiteti nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Unë deri tani në disa raste kam përsëritur se gjuha dhe identiteti i popullit janë diçka e panegociueshme.  Ata janë të definuara. Për këtë shkak ekzistojnë bisedime, për këtë shkak ekziston proces diplomatik përmes MPJ-së ku duhet të zgjidhen këto probleme. Gjithsesi pa prekur në interesat nacionale të shtetit tonë ose Bullgarisë, duke respektuar rezolutën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”.

Sipas kryeministrit Kovaçevski, vizita e kryeministrit të ri bullgar gjatë kësaj jave në Shkup solli përafrim të palëve dhe rritje të optimizmit për epilog pozitiv në bisedimet bilaterale. /SHENJA/