` . (VIDEO) Kroacia ofron mbështetje për Maqedoninë e Veriut - TV SHENJA

(VIDEO) Kroacia ofron mbështetje për Maqedoninë e Veriut

Shteti kroat i ofron mbështetjen e saj Maqedonisë së Veriut në rrugën euro atlanike. Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka theksuar se pret që Konferenca ndërqeveritare për të hapur negociatat, të mbahet deri në fund të vitit. Këtë e tha pas takimit me Ministrin e Jashtëm të vendit tonë Bujar Osmanit, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci.

Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë

“Kroacia mbështet fuqimisht Maqedoninë e Veriut si vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe pret që procesi i hapjes së negociatave të fillojë së shpejti. Kroacia pret që konferenca ndërqeveritare të konvokohet deri në fund të vitit, gjatë presidencës së Gjermanisë me BE-në, për të hapur negociatat”.

Osmani në anën tjetër e falënderoi Plenkoviqin për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë dhe angazhimin gjatë presidencës së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme

“Ne Kroacinë mike e kemi një partner të sinqertë, mbështetës tradicional të aspiratave tona për integrim në familjen evropiane. Veçanërisht e vlerësojmë faktin që Kroacia gjatë gjithë periudhës së kaluar besonte fort në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një lidhje e rëndësishme në krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon”.

Gjatë ditës, ministri Osmani u takua edhe me homologun e tij kroat, Goran Gërlic Radman, dhe gjatë vizitës, ai do të qëndrojë edhe në Parlamentin kroat, ku do të takohet me kryetarin e Këshillit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Gari Capelli, kryetarin e Këshillit për Çështje Evropiane, Domagoj Hajdukoviç dhe deputeten Ermina Lekaj Përljaskaj, e cila përfaqëson pakicat kombëtare të maqedonasve, shqiptarëve, malazezëve, boshnjakëve dhe sllovenëve.

Vizita në Kroaci pason pas Sllovenisë, ku u realizuan takime me udhëheqës të shtetit, nga e cila siç njoftuan ata gjithashtu kanë marrë mbështetje të fortë për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Emine Ismaili /SHENJA/