(VIDEO) Kovaçevski-Petkov e pranojnë: Deri tash nuk kemi pasur sukses!

(VIDEO) Kovaçevski-Petkov e pranojnë: Deri tash nuk kemi pasur sukses!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe ai i Bullgarisë Kiril Petkov pranojnë se nuk ka pasur ndonjë progres në procesin eurointegrues. Por, ata janë optimistë pasi bisedimet vazhdojnë ende. Kryeministri Kovaçevski theksoi se përfitimi më i madh për të dyja vendet është zhbllokimi i procesit të anëtarësimit me zgjidhje të bazuara në vlerat evropiane të mbështetura dhe të pranuara nga të dyja palët duke respektuar dinjitetin e qytetarëve.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së

“Në këtë moment nuk mund të them për nëse ka progres në lidhje me arritjen e dokumentit të përbashkët të pranueshëm me Bullgarinë, por bisedimet vazhdojnë në mes ekipeve të ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme dhe menjëherë sapo të ketë progres të caktuar kjo do të kumtohet në nivel të ministrave”.

Petkov në një deklaratë për mediat bullgare pas takimit me Kovaçevskin, përsëriti se nevojitet të thirret Këshilli konsultativ bullgar për siguri kombëtare në të cilin do të bisedohej për tërë atë që deri më tani e kanë bërë qeveritë e dy vendeve.

Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë

“Nuk u obliguam në kurrfarë afate, gjëja e vetme në çka jemi obliguar është që ta mbajmë ritmin e mirë, ndërsa ministritë e punëve të jashtme të vazhdojnë të punojnë. Premtuam se do ta mbajmë ritmin konstruktiv. Presim në javët dhe muajt e ardhshëm disa grupe të ndryshme të cilat nuk duan fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të tentojnë të shkaktojnë provokime”.

Në takim, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov u njoftuan nga ministrat resorë për bisedimet në nivel ministror, për të cilat u pajtuan se duhet të vazhdojnë në mënyrë që të arrihet një dokument që do të ishte i pranueshëm për të dyja vendet dhe do të mund të ishte bazë për një zgjidhje që mund të ndahej me institucionet në të dy vendet. Emine Ismaili /SHENJA/