(VIDEO) Kovaçevski këmbëngul: Zgjedhje do të ketë në vitin 2024

(VIDEO) Kovaçevski këmbëngul: Zgjedhje do të ketë në vitin 2024

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare që të kapet për punë në Shkup, duke përsëritur se zgjedhje parlamentare do të ketë në vitin 2024 dhe se askush nuk ka frikë nga zgjedhjet. Kovaçevski, i cili ishte për vizitë në Kombinatin e Duhanit në Prilep, theksoi se fatkeqësia që i ndodhi vendit për 11 vjet, tani po i ndodh Shkupit, duke theksuar se në vitin 2015 Qeveria e atëhershme la subvencione të papaguara dhe ndërtoi 36 monumente në kryeqytet.

Kovaçevski

“Ashtu siç arritën ta bllokojnë vendin për 11 vjet, asnjë milimetër në integrime evropiane, të përçarë brenda, të përçarë me të gjithë fqinjët…, do t’u thosha ta praktikojnë pushtetin që kanë në Shkup, sepse ne sot mezi dolëm nga Shkupi sepse të gjithë transportuesit po protestojnë. Në Shkup premtuan transport falas me autobus, premtuan autobus falas, premtuan kodra e lugina… Aktualisht Shkupi nuk ka transport me autobus, as nuk ka impiant për trajtimin e ujit, as nuk ka lëvizje të ndonjë projekti kapital, të cilën ua la qeveria e kaluar”.

Kovaçevski tha se për VMRO DPMNE-në nuk mund të jetë arsyetim se janë grindur me kryetaren që është kandidate e tyre, sepse e kanë promovuar nëpër Shkup. Kovaçevski tha se kaloi koha kur në vend mbaheshin zgjedhje çdo vit vetëm pse dikush dëshiron të zbatojë agjendën e tij politike personale. /SHENJA/