(VIDEO) Kovaçevski falënderon Ramën dhe Vuçiqin për përkrahjen që i japin propozimit francez

(VIDEO) Kovaçevski falënderon Ramën dhe Vuçiqin për përkrahjen që i japin propozimit francez

Kryeministri  Dimitar Kovaçevski, sot në një takim online falënderoi dy liderëve të Ballkanit të Hapur, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin  dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë  në lidhje me propozimin e modifikuar evropian. Nga qeveria sqarojnë se Kovaçevski i ka informuar Ramën dhe Vuçiqin se propozim-korniza negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian përfaqësuar nga presidenca franceze e BE-së, është  përcjellë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

QEVERIA E RMV-SË

“Rama dhe Vuçiq veçmas përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kryeministri Kovaçevski, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët shoqëror në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë”.

Takimi i liderëve të Ballkanit të Hapur  iu dedikua intensifikimit të bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë. Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Çështje Ekonomike, Mariçiq dhe Bytyqi, koordinatori nacional për Ballkanin e Hapur, Marjan Zabërçanec, drejtori i SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski dhe Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

QEVERIA E RMV-SË

“Liderët ranë dakord për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës me qëllim krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur”.  

Në takimin e sotëm, liderët e nismës Ballkani i Hapur theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për shfrytëzimin e lidhjes rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët.
Në takim, liderët konkluduan se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, në të cilin kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.

Medina Ajeti /SHENJA/