(VIDEO) Kovaçevski: Edhe në OKB mbizotëronte bindja se na pret një dimër i vështirë

(VIDEO) Kovaçevski: Edhe në OKB mbizotëronte  bindja se na pret një dimër i vështirë

Ky dimër do të jetë i tmerrshëm. Kështu paralajmëron kryeministri Dimitar Kovaçevski. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ai thotë se këtë vit do të ketë mungesë të ushqimit dhe të energjisë elektrike. Ai përmendi edhe takimet e vazhdueshme që janë duke i mbajtur me Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, për të siguruar energji elektrike.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër

“Në Kombet e Bashkuara të gjithë flasin për krizën. Këtë vit do të ketë mungesë të energjisë elektrike dhe të ushqimit, në një pjesë të madhe të botës. Maqedonia e ka rritur prodhimin vendor të energjisë. Kemi siguruar energji elektrike për qytetarët dhe shfrytëzuesit e vegjël. Jemi munduar të sigurojmë rrymë përmes marrëveshjeve direkte me shtete tjera”.

Më tej, Kovaçevski është shprehur optimist që vendi ynë në vitin 2030 të bëhet anëtare e BE-së, nëse dinamika e punës ecën me këtë ritëm që ka nisur. Ai përsëriti që legjislacioni i vendit tonë me atë të BE-së, deri tani është harmonizuar deri në 45%.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër

“Vlerësoj se është reale që për 14 muaj të kryhet procesi i skriningut dhe të filloj hapja e kapitujve. Deri në vitin 2030, në pajtim me tempon me të cilën po shkojnë punët, vlerësoj se është reale që Maqedonia e Veriut, të bëhet antare e BE-së”.

Kurse sa i përket ndikimit rus në vend, Kovaçevski ka theksuar se kjo po bëhet në disa mënyra. Ai përmendi sulmet e fundit kibernetike ndaj institucioneve shtetërore, ndërsa shtoi se edhe partia “E Majta” dhe VMRO-DPMNE-ja po veprojnë në dobi të ndikimit rus, duke pasë parasysh se janë kundër interesave strategjike të vendit.

Emine Ismaili /SHENJA/