(VIDEO) Kovaçevski: Diskutojmë me Sofjen për tejkalimin e dallimeve për propozimin francez

(VIDEO) Kovaçevski: Diskutojmë me Sofjen për tejkalimin e dallimeve për propozimin francez

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbetet në qëndrimin se propozimi francez për tejkalimin e vetos bullgare është i papranueshëm për Maqedoninë e Veriut në formën aktuale. Ai tha se deklarata e tij në Bruksel vlenë akoma, ndërsa Ministritë e Jashtme të dy shteteve po diskutojnë për dallimet e fundit që janë shfaqur si pengesë për marrëveshje.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“MPJ me ekipet e saj të ekspertëve po bisedon me MPJ e Bullgarisë. Kur do të ketë propozim të pranuar nga të dyja palët, atëherë do të dorëzohet në institucionet e Maqedonisë së Veriut, por për momentin nuk kemi një propozim të tillë”.

Parlamenti bullgar pranoi para disa ditësh propozimin francez, por ai nuk po pranohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për shkak të përfshirjes së protokollove në kornizën negociuese me BE-në dhe për shkak të kërkesës bullgare për ndryshimin e Kushtetutës para fillimit të bisedimeve. Presidenca franceze me BE-në vazhdon deri më 30 qershor, por pas zhvillimeve të fundit nuk ka pasur një propozim të ri prej tyre. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje të plotë procesit të negociatave që po i udhëheq presidenca franceze. Një zëdhënës i Stejt Departamentit tha për Zërin e Amerikës se SHBA është e gatshme të ndihmojë procesin.

STEJT DEPARTAMENTI
 “Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne si SHBA do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku duhet. E përshëndesim Francën për përpjekjet e saj që të arrijë zgjidhje të suksesshme që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet. Negociatat mes palëve akoma vazhdojnë, ndërsa ne jemi të gatshëm të bëjmë rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit”.

Stejt Departamenti nënvizon gjithashtu se SHBA janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, sipas tyre, promovon paqe, stabilitet dhe prosperitet afatgjatë për gjithë rajonin. /SHENJA/