(VIDEO) Kontesti me Bullgarinë, grupet e punës do të punojnë me afate

(VIDEO) Kontesti me Bullgarinë, grupet e punës do të punojnë me afate

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të formojnë grupe punuese për përmirësimin e atmosferës dhe tejkalimin e pengesave për nisje të bisedimeve me BE-në. Ato do të konkretizohen me ardhjen e kryeministrin bullgar në vendin tonë Kirill Petkov, bëri më dije ministri në largim i Drejtësisë Bojan Mariçiq. Megjithatë Mariçiq shprehet se me Bullgarinë fqinjë ende janë në fazë të bisedimeve dhe jo të dakordimeve.

Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë

“Mendoj që vizita e kryeministrit Kirill Petkov të martën do të jetë mundësi e shkëlqyer që të vendoset një dinamikë e re në procesin e negociatave mes neve dhe Bullgarisë, dinamikë në të cilën do të fokusohemi në  çështje më të zgjeruara të historisë, ku do të formohen grupe konkrete punuese, të cilat do të japin rezultate në fusha të caktuara, pa u lidhur në afate kohore, por intenzivisht të punojmë në përmirësimin e atmosferës mes dyja vendeve, kthimin e besimit, rritjen e nivelit të miqësisë dhe thelbësisht në menjanimin e pengesave për fillim të bisedimeve”.

Mariçiq me formimin e Qeverisë së re, pritet të zë vendin e Nikolla Dimitrovit, si zëvendës kryeministër për Çështje Evropiane. Ai shprehet se me pozitën e re që do ta ketë, bisedimet me Sofjen do të marrin një dinamik tjetër.

Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë

“Mendoj se fakti që në të dy anët e kufirit kemi qeveri të reja, jep energji dhe shans të ri për zgjidhje pozitive në bazë të leksioneve të mësuara nga procesi i kaluar të bisedime. Ne ende nuk jemi në fazën në të cilën jemi pajtuar në diçka, as pala bullgare nuk është pajtuar”.

Gjatë 16 muajve në krye të ministrisë së Drejtësisë mes tjerash Mariçiq, do të mbahet mend për tentimin për amnisti të personave që vuanin dënim për vepra të rënda penale, në mesin e tyre ishte edhe vrasësi i Almirit nga Kumanova Boban Iliq. Mirëpo pas një vrulli reagimesh në opinion lista e faljes nga ministri u anulua menjëherë.

Emine Ismaili /SHENJA/