` . (VIDEO) Kongresi i Manastrit ka rëndësi të madhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut - TV SHENJA

(VIDEO) Kongresi i Manastrit ka rëndësi të madhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Alfabeti i gjuhës shqipe përdoret prej më shumë se 100 viteve. Pikërisht më 22 nëntor Kongresi i Manastirit mbush përplot 112 vjet. Për nder të kësaj date historike, Instituti i Trashigimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve organizoi edhe Akademinë shkencore në 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Drejtori  i ITSHKSH-së Skender Asani theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje të madhe historike për të gjithë shqiptarët anembanë botës, por posaçërisht për shqiptarët e Maqedonisë Veriut, duke pasur parasysh se Kongresi është mbajtur në qytetin e Manastirit.

Skender Asani, drejtori i ITSHKSH-së    

“Ky Kongres është faqja tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sintetizim më i saktë i përpjekjeve iluministe të rilindasve tanë për ndriçimin e kombit. Shqipëria e ka Vlorën e pavarësisë, Kosova e ka Prizrenin e Lidhjes, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë Kongresin e Manastirit”.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke uruar për Festën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, theksoi nevojën që në të gjtiha institucionet të shtohet vëmendja dhe vetëdija ndaj përdorimit korrekt të gjuhës standarde shqipe.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit   

“Duhet të jemi vigjilentë, secili në pjesën e vet të fushëveprimit. Këtu së pari kam ndërmend veten dhe përfaqësuesit e diapazonit politik që aktualisht jemi ose do të bëhemi në të ardhmen pjesë e pushtetit legjislativ dhe që mund të ndryshojmë, plotësojmë, përmirësojmë mbështetjen ligjore për ruajtjen e gjuhës standarde”.

Edhe Ylber Sela, drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve  theksoi rëndësinë e kësaj date, pasi siç tha ajo ka bërë që të mbizotëroj ftryma e unitetit shqiptar.

Ylber Sela, drejtor i Agjencisë të zbatimit të gjuhëve 

“Kongresi i Alfabetit është vetëvetiu një simbolikë e veçantë, për arsye se që nga ajo ditë kur mbizotëroi fryma e unitetit shqiptar, u bë udhërrëfyes edhe për shumë beteja të tjera, të mëvonshme, duke shërbyer si shembull poztiv se si mund të bëhen shumë gjëra të mëdha me anë të mirëkuptimit dhe bashkimit”.

Ditën e nesërme aktivitetet e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, do të kulmojnë me përkujtimin e Zonjës së Parë të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi. Me atë rast, do të promovohet libri me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, si dhe filmi dokumentar për në UNESCO.

Emine Ismaili /SHENJA/