(VIDEO) Komunat kërkojnë ndihmë nga Qeveria për krizën energjetike

(VIDEO) Komunat kërkojnë ndihmë nga Qeveria për krizën energjetike

Kriza energjetike dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka prekur edhe komunat, ku faturat e tyre janë pesëfishuar, e kjo ka bërë që kryetarja e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale-BNJVL dhe njiherit edhe kryetare e qytetit të Shkupit Danella Arsovska, të kërkojë që  Qeveria menjëherë t’u ofrojë ndihmë financiare komunave që janë në gjendje të vështirë për shkak të krizës ekonomike.

DANELLA ARSOVSKA-KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT DHE BNJVL-SË

“Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndihmojë komunat. Nuk është koha për lojëra politike, të gjitha komunat janë në gjendje alarmante. Siç thanë kryetarët e komunave, faturat e energjisë elektrike tani për dy muaj janë aq sa buxheti i komunave për gjithë vitin”.

Arsovska kërkoi që të përmirësohet kapaciteti financiar dhe fiskal, të rriten të ardhurat e komunave, ndërsa do të kërkojë edhe mbledhje urgjente me Qeverinë që të gjendet zgjidhje e shpejtë dhe cilësore për rritjen e çmimeve të energjisë.

DANELLA ARSOVSKA-KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT DHE BNJVL-SË

“Kërkojmë nga Qeveria që të ndërhyjë, gjegjësisht të ndihmojë që të mbulohet diferenca në çmimin e energjisë elektrike. Mendojmë se situata me çmimin e energjisë elektrike nuk është nën kontroll si në vendet e tjera. Nuk ka rregulla në treg, dhe ato rregulla i diktojnë Qeveria dhe Komisioni Rregullativ për Energji”.

E para e Shkupit më tej komentoi edhe mungesën e ngrohjes qendrore. Ajo tha se nuk është në kompetencë të qytetit të Shkupit, pasi sipas saj  në të  kundërtën problemi do të zgjidheshte menjëherë.

Samir Mustafa /SHENJA/