` . (VIDEO) Komisioni bën gati protokollin për shkollat, Ministria vendos gjatë javës - TV SHENJA

(VIDEO) Komisioni bën gati protokollin për shkollat, Ministria vendos gjatë javës

Nesër pritet të vendoset nëse në shtator do të hapen shkollat ose do të vazhdojë mësimi online. Komisioni për Sëmundje Infektive së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, patën paralajmëruar për sot publikimin e protokollit për procedurën e mësimit në kushte ku koronavirusi vazhdon të mbetet akoma prezent. Takimi i zhvilluar sot nuk çoi në gjetjen e përfundimeve, por konsultimet për një gjë të tillë do të vazhdojnë edhe nesër.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

 “Sot nuk u sollën përfundime lidhur me këto çështje, bisedimet vazhdojnë ende në ditët në vijim me qëllim që të arrihet marrëveshje më e mirë dhe zgjidhje më e sigurt për mënyrën e zhvillimit të mësimit. Komisioni për Sëmundje Infektive i ka përgatitur masat për mbrojtje dhe protokollet e nevojshme që duhet të respektohen për mbrojtje të fëmijëve dhe mësuesve gjatë kohës së procesit mësimor, megjithatë vendimi final për fillimin e vitit të ri shkollorë dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit, është nën kompetenca të MASH. Bisedimet mes komisionit dhe ministrisë vazhdojnë nesër”.

Epidemiologu Aleksandar Stojanov, ka thënë për mediat se janë akoma në procedurën e negociatave, ndërsa ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ka deklaruar se ka mjaft kohë deri më 1 shtator për ta organizuar fillimin e vitit mësimor 2020-2021.

Ai ka paralajmëruar të gjitha shkollat që të përgatiten për zbatimin e protokolleve në tre llojet e mësimit, si mësimi me prani fizike, online dhe të kombinuar.

Ajnur Bafqari /SHENJA/