` . (VIDEO) Hoti kërkesë BE-së: Në marrëveshjen me Serbinë të përfshihet edhe njohja nga pesëshja europiane - TV SHENJA

(VIDEO) Hoti kërkesë BE-së: Në marrëveshjen me Serbinë të përfshihet edhe njohja nga pesëshja europiane

Suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se tërësia tokësore e Kosovës është e pangeociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Kështu ka theksuar kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, gjatë video konfrencës me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ky që ishte paraparë të mbahej në Paris, por për shkak të pandemisë me koronavirusin, u realizua virtualisht. Hoti ka nënvizuar se Kosova synon një marrëveshje gjithëpërfshirës të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën.  Hoti ka theksuar se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Avdullah Hoti, kryeministër i Kosovës
1.Njohja reciproke midis dy shteteve është e vetmja mënyrë e normalizimit të marrëdhënieve dhe për t’i hapur rrugë të dyja shteteve për integrimin në BE; 2. Rezultat i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë edhe obligimi i BE-së që ta përthekojë njohjen e Kosovës prej pesë shteteve të mbetura; 3. Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet po ashtu të jetë pjesë e rezultatit të marrëveshjes gjithpërfshirëse paqësore midis Kosovës dhe Serbisë. Një gjë e tillë natyrisht se nëkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244; 4. Kërkesat për anëtarësim në organizatat tjera ndërkombëtare dhe një hapje e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është synim u yni gjatë këtij procesi; 5. Dhe së fundi, e jo më pak e rëndësishme, të zhdukurit dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, kompenzimet e luftës, viktimat, janë çështje tejet e rëndësishme në këtë proces. Normalizimi s’mund të ndodhë, para se drejtësia të vihet në vend”

Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiq, këto qëndrime i cilësoi si ultimatum.

Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë
“Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetuese të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo me modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”,

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiq.

Ndryshe, të dielën do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten do të mbahet takimi zyrtar në Bruksel.

Takimi i së dielës, sipas zyrtarëve të BE-së “do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Ajnur Bafqari /SHENJA/