(VIDEO) Guvernatorja e Bankës Popullore: Do të përballemi me vit të vështirë ekonomik

(VIDEO) Guvernatorja e Bankës Popullore: Do të përballemi me vit të vështirë ekonomik

Guvernatorja Angellovska Bezhoska paralajmëron se ky do të jetë një vit i vështirë ekonomik, pas rritjes së inflacionit. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se Banka Popullore ndërkohë pret edhe që të ketë rritje të borxhit publik për 63%. E pyetur se a mund të rriten edhe çmimet e tjera pas ndryshimit të sistemit tarifor të energjisë elektrike të paralajmëruar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, ajo tha se nëse çmimi rritet ajo do të thotë rritje e inflacionit.

Angellovska Bezhoska, guvernatore

“Po, ka paralajmërime për ndryshimin e sistemit tarifor për energjinë elektrike të cilën e paguajnë amvisëritë. Nuk kemi ende informacione më të detajuara për atë se si do jetë ndryshimi që të mund të vlerësohet, se si do të ndikoj në çmimin mesatar të energjsië elektrike. Por, sigurisht nëse rritet çmimi mesatar, që është njëra ndër komponentat e shportës konsumatore, ajo do të thotë rritje e inflacionit”.

Guvernatorja Bezhoska i sugjeron autoriteteve që fokusin ta vënë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por shton se nuk duhet të harrohen as reformat, pasi siç thotë për momentin realisht po shuhen vetëm zjarre.

Angellovska Bezhoska, guvernatore

“Në momentin që ulet aktiviteti ekonomik, presim ngadalësim të ekonomisë dhe presione në rritje ndaj inflacionit, që do të thotë më pak të ardhura në dispozicion për popullatën, përkatësisht efekte të padëshiruara ndaj standardit jetësor. Në situata të këtilla është e domosdoshme ndërmarrja e më shumë masave dhe aktiviteteve nga autoritetet me qëllim zbutjen e situatës. Efekte do të ketë, sepse këto janë tronditje të përmasave të papara. Të gjithë do t’i ndjejmë efektet, por të paktën të ndihmohen grupet me të rrezikuara të qytetarëve”.

Ajo i sugjeron pushtetit për kujdesin në shpenzimin e parave publike, sepse ato janë para të qytetarëve. Por nga ana tjetër thotë se dueht të jenë të fokusuar edhe në përmirësimin e fundamenteve të ekonomisë.

Emine Ismaili /SHENJA/