` . (VIDEO) Gruevski dënohet me 1 vit e gjysmë burg për shuplakat ndaj Andrej Zhernovskit - TV SHENJA

(VIDEO) Gruevski dënohet me 1 vit e gjysmë burg për shuplakat ndaj Andrej Zhernovskit

Ish kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski  dënohet edhe me 1 vit e gjysmë burg,  për veprën penale “Dhunë”. Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, me dënim me kusht, ose 1 vit burg, nëse në 4 vitet e ardhshme kryen ndonjë vepër tjetër penale. I akuzuari Aleksandar Trajkovski, poashtu u denua me kusht, ose 9 muaj burg nëse në 3 vitet e ardhshme kryen vepër tjetër penale. Këto janë disa nga dënimet e shqiptuara për procesin gjyqësor, për rastin “Dhuna në komunën Qendër”, pas një gjykimi të zhvilluar për 4 vjet. Gjykatësi gjykimin e zgjatur për këtë rast e arsyetoi me atë që siç tha, avokatët e të akuzuarëve kanë qenë të angazhuar edhe në tjera lëndë, njëri prej të akuzuarëve, duke ju referuar Janakieskit, ka qenë i akuzuar edhe në disa lëndë, si dhe një kohë nuk kanë pasur prokuror për shkak të shkrirjes së PSP-së.

Dushan Josifov, gjykatës

“Të akuzuarit ,Nikolla Gruevski, i pa pranishëm,  Mile Janakieski,  Aleksandar Trajkovski, Darko Stojçevski, Daniell Trifunovski, Trajçe Petkovski dhe Igor Boshkovski, janë fajtor sepse më 1 qershor 2013 në Shkup, i akuzuari i parë Nikolla Gruevski si kryetar i partisë VMRO-DPMNE, me qëllim përmes Mile Janakieskit, anëtar i partisë VMRO-DPMNE dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve… i kanë nxitur të akuzuarit Aleksandar Trajkovskin, Dimçe Kërstevskin, Darko Stojçevskin, Daniell Trifunovskin,Trajçe Petkovskin dhe Igor Boshkovskin që të grupohen në më shumë persona dhe të kryejnë dhunë brutale ndaj ish kryetarit të komunë Qendër, Andrej Zhernovskit si dhe ndaj grupit të këshillit të Komunës Qendër”.

Prokurorja e lëndës Fatime Fetai është pjesërisht e kënaqur nga aktgjykimi. Ajo bëri të ditur se do të kërkoj dënim me burg edhe për Mile Janakieskin si dhe të akuzuarit e tjerë përmes ankesës në Apel.

Fatime Fetai, prokurore

“Jam pjesërisht e kënaqur nga vendimi që u shpall, jam e kënaqur nga pjesa me të cilën gjykata I shpalli fajtor persona për të cilët prokuroria i ngeli në propozim akuzë, për arsye se kjo tregon se prokuroria jashtë çdo dyshimi e ka dëshmuar fajësinë e tyre. Mirëpo, nuk jam aspak e kënaqur nga pjesa e denimit”.

E pakënaqur mbeti edhe pala e akuzuar. Avokati i Janakiesit Elenko Millanov, u shpreh se ata kanë pritur vendim për lirim të plotësishëm për klientin e tij.

Elenko Millanov, avokati i Janakieskit

“Duke pasur parasysh se Mile Janakieski është shpallur fajtor, ndërsa mbrojtja në fjalët e saj përfundimtare kërkoi që i njëjti të lirohet nga akuza, sigurisht që nuk jemi të kënaqur dhe do të ndërmarrim të gjitha mjetet ligjore, kur ta marim vendimin në formë të shkruar”.

Të gjithë të akuzuarit detyrohen që të kompensojnë dëmin e Komunës Qendër, në vlerë prej 27 000 denarë.

Prokurorja Fatime Fetai në seancën e fundit liroi nga akuzat, Daniela Rangelova, Milan Andonovski dhe Borce Bogdanovski. Ndërsa, më herët fajin për këtë rast e patën pranuar, Tomisllav Lazarov dhe Jordan Ristevski, të cilët u dënuan me kusht, derisa për Dimçe Kërstev po udhëhiqet procedurë e veçantë.

Ish-kryeministri Gruevski ishte dënuar edhe me dy vjet burg në rastin “Tanku”, kurse ndaj Mile Jankievski ky është dënimi i parë, ndërsa ndaj tij po zhvillohen edhe shtatë procese tjera gjyqësore. Emine Ismaili /SHENJA/