(VIDEO) Fushata zgjedhore lë hije përgjegjësinë për djegien e spitalit në Tetovë

(VIDEO) Fushata zgjedhore lë hije përgjegjësinë për djegien e spitalit në Tetovë

20 ditë pas zjarrit në Tetovë ku u dogjën të gjallë 14 pacientë dhe spitali modular u bë shkrumb e hi për tre minuta ende nuk ka asnjë përgjegjësi. Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë, ndërsa përgjegjësit e tragjedisë shëtisin lirshëm. Dorëheqjet morale të  krerëve të ministrisë së shëndetësisë dhe krerëve të spitalit të Tetovës mbetën në sirtarët e qeverisë së Zoran Zaevit, ndërsa fushata  për zgjedhjet lokale që ka nisur të hënën e bën të pamundur shkarkimin e tyre, pasi kuvendi nuk punon për shkak të zgjedhjeve.

Edhe nisma për krijimin e një Komisioni hetimor për tragjedinë në Tetovë e inicuar nga opozita maqedonase nuk  u miratua në kuvend. Kryetari I Kuvendit Talat Xhaferi tha se nisma është e parakohshme, pasi  Kuvendi ka rol mbikëqyrës mbi autoritetet tjera dhe sipas tij  nuk mund të marr rolin e autoriteteve tjera.

Fillimisht kërkesa e parë e VMRO-DPMNE-së opozitare ishte refuzuar për shkak të mos respektimit të emrit kushtetues, ndërkaq nga kjo parti njoftuan se do të dorëzon nismë të re për komision anketues duke respektuar emrin kushtetues.

Më 8 shtator rreth orës 21 shpërtheu një zjarr në spitalin modular të Tetovës ku po trajtoheshin pacientët e infektuar nga koronavirusi.  Zjarri dogji gjithçka për tre minuta duke marrë edhe jetën e 14 personave. /SHENJA/