(VIDEO) Fletarrest ndërkombëtar për të dënuarin për dhunë ndaj Selës

(VIDEO) Fletarrest ndërkombëtar për të dënuarin për dhunë ndaj Selës

Fotografia e të arratisurit Nikolla Gruevski që për muaj me radhë ishte e para në listën e personave të kërkuara nga policia ndërkombëtarisht, tashmë ka një zëvendësim. Prej sot, Ministria e Punëve të Brendshme e ka vendosur edhe fotografinë e të arratisurit Nikolla Vojminovski i cili dje u konfirmua të ketë ikur nga burgu shtëpiak. Vojminovski duhej të vuajë dënimin prej 13 vitesh burg për tentim vrasje të Zijadin Selës, por ai gjeti mënyrë për ta mashtruar ligjin. Edhe pse ishte i dënuar,vendimi i shkallës së parë ende nuk kishte hyrë në fuqi, dhe kështu Vojminovski kishte mundësi të kërkojë masa alternative të kujdesit, edhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Deri më tani, as gjykata e as policia nuk ndjehen fajtore për arratinë e Vojminovskit. Gjykata gjatë prononcimit të djeshëm tha se ajo ka zbatuar propozimet e prokurorisë, ndërsa policia, tha se vepron në bazë të urdhrit të gjyqësorit. Por, pala e tretë në këtë rast, Prokuroria, thotë se Vojminovski ka patur një historik të sëmundjeve të rënda, dhe njëherë madje edhe pati rënë pa vetëdije në gjykatë, dhe kjo i ka shtyrë ata që të propozojnë arrestin shtëpiak. Për gjatë këtyre gjashtë muajve, prokuroria thotë se Nikolla Vojminovski nuk ka dhënë asnjë shenjë të tentativës për arrati. Megjithatë, prokuroria thekson se gjykata është përgjegjëse për sigurimin e të dënuarit në këtë fazë.

Prokuroria Themelore

“Pasi MPB-ja kishte verifikuar se i dënuari kishte ikur nga shtëpia e tij, e njoftoi prokurorin vetëm gojarisht. Pastaj prokurori e angazhoi MPB-n që ti dërgojë njoftim me shkrim gjykatës, pasi që në pajtueshmëri me Ligjin për procedurë penale, në këtë fazë, gjykata është përgjegjëse për sigurimin e të dënuarit. Në qoftë se MPB-ja siguron prova që do të zbardhnin rrethana të ndonjë vepre penale që përndiqet në bazë të detyrës zyrtare, atëherë prokuroria do të kyçet në përndjekje të personave që eventualisht i kanë ndihmuar të dënuarit që të arratiset”

Prokuroria tha se për momentin vetëm Aco Toshta gjendet në burg shtëpiak, edhe përkundër faktit që tashmë ekziston një i arratisur nga shtëpia, pasi ai nuk duket të ketë rrezik nga arratia, dhe sikurse Vojminovski, edhe ai është i sëmurë dhe ishte alivanosur në gjykatë.

Nikolla Vojminovski morri dënimin më të lartë prej shtatë personave të akuzuar për tentim vrasje të Zijadin Selës. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore, me kërkesë të prokurorit Darko Jakimovski, Vojminovskit iu lejua që të qëndrojë në burg shtëpiak, derisa vendimi gjyqësor të bëhet i plotëfuqishëm. Vendim të njëjtë kishte edhe për Aleksandar Janevskin i njohur si Toshta i cili poashtu ka dënim prej 13 vjetësh.

Ajo çfarë e lehtësoi arratinë e Vojminovskit, është edhe roja e policisë që nuk është e obliguar që të qëndrojë 24 orë para shtëpisë së tij. Derisa i ka ardhur policisë radha për të shkuar në kontroll të shtëpisë së Vojminovskit, ai ka patur në dispozicion gjysmë ditë, ose një ditë të tërë, por nëse policia nuk ka qenë e rregullt në kontrolle, ka gjasa të ketë patur edhe më shumë kohë për arrati.

Përveç në cilësinë e të akuzuarit, Vojminovski ishte edhe një prej dëshmitarëve të prokurores Villma Ruskovska në procesin e 27 prillit. Ai ishte i pari që foli hapur për planin e pushtetit për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme atë ditë, dhe për organizimin e skenarit në përgjithësi, dhe theksoi disa emra funksionarësh që ishin përfshirë.

Përveç Nikolla Vojminovskit, drejtësisë së Maqedonisë i ikën edhe dy Nikolla të tjerë. Nikolla Gruevski dhe Nikolla Boshkovski, por edhe ish shefi i drejtorisë së pestë në DSK Goran Grujovski. Edhe biznesmeni Sead Koçan ishte në arrati për një periudhë, por u kthye. Edhe pse bëhet fjalë për pesë arratisje, vetëm për dy vite, deri më tani nuk ka asnjë përgjegjësi për askënd që ndoshta ka bërë lëshim në detyrën zyrtare, dhe kështu ka mundësuar ikjen nga drejtësia të të akuzuarve dhe dënuar për krim e korrupsion.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=5MQRhWjTnp0