(VIDEO) Filloi faza e parë e skriningut shpjegues për legjislacionin e BE-së

(VIDEO) Filloi faza e parë e skriningut shpjegues për legjislacionin e BE-së

Edhe zyrtarisht, vendi ynë sot nisi procesin e skriningut të parë shpjegues me BE-në. Ekipi negociues i Maqedonisë së Veriut sot dhe nesër do ta ripërtërijë dijeninë e tyre për legjislacionin e BE-së, në vigjilje të fillimit të skriningut bilateral. Ekipin e kryeson kryenegociatori, Bojan Mariçiq. Ai në profilin e tij në facebook shkroi se gjithçka është gati për fazën e ardhshme të integrimeve evropiane dhe se ekipi i Maqedonisë është i gatshëm për hapjen e procesit të skriningut.

BOJAN MARIÇIQ, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EUROPIANE

“Negociatat janë të hapura. Sot ne fillojmë një fazë të re të rrugës së integrimit evropian dhe përmbushjes së qëllimit tonë strategjik. Ekzaminimi është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne. Prandaj le të bashkohemi të gjithë rreth kësaj detyre kombëtare dhe ta përfundojmë sa më parë. Ne kemi një bazë të mirë dhe më shumë vullnet dhe kapacitet për ta bërë këtë”.

Ekipi, i përbërë nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe nga përfaqësues të institucioneve kompetente, sot në Bruksel, ndërsa nesër në Luksemburg do të mbajë skrining shpjegues me Komisionin Evropian, për herë të parë nga viti 2019. Skriningu shpjegues do të mbahet së bashku me ekipin negociues nga Shqipëria. Qëllimi i skriningut shpjegues, si edhe në vitin 2019, është që të informohen ekipet e vendeve negociuese për rrjedhën dhe risitë në legjislacionin e BE-së. Në këtë pjesë, roli i vendeve që negociojnë është shumë pasiv, ato dëgjojnë, marrin shënime dhe parashtrojnë pyetje.

Skriningu fillon me klasterin e parë dhe më të rëndësishëm. Sot takimi është i fokusuar në kapitullin pesë – Furnizimet publike. Nesër, ekipet udhëtojnë drejt Luksemburgut ku do të mbahet takim për kapitullin 18 – Statistikë. Që të dy kapitujt janë pjesë e klasterit të parë famoz, i njohur si “Themele”. Kapitujt e tjerë në këtë klaster janë Drejtësia, Gjyqësia dhe Kontrolli financiar.

Pasi të përfundojnë skriningjet shpjeguese, duhet të fillojnë skriningjet bilaterale. Në këtë pjesë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndahen.

Emine Ismaili /SHENJA/