(VIDEO) Familjarët e viktimave të tragjedisë kërkojnë përgjegjësi

(VIDEO) Familjarët e viktimave të tragjedisë kërkojnë përgjegjësi

Një vit pas, familjarët e viktimave të autobusit po kujtojnë tragjedinë. Ata shprehin dhimbjen për humbjet dhe kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet që nuk e parandaluan tragjedinë. Njëri prej familjarëve, Fati Iseni, e ka kujtuar ngjarjen me një tekst të publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale.

“Kaloi një vit nga tragjedia më e rëndë që përjetuam si familje dhe dhimbja nuk shuhet akoma! Asnjë përgjegjesi nga kompetentët, asnjë dorëheqje, asnjë procedurë të mirëfilltë ligjore”, ka shkruar Iseni.

Edhe Abdul-Selam Selami, i cili humbi motrën dhe dhëndrin gjatë tragjedisë, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, u ka kërkuar organeve kompetente në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari që sa më shpejt ta zbardhin rastin. Ka thënë se askush të mos mendojë se ata mund t’i harrojnë dhe afërmit e tyre.

“Ky mëngjes i sotit para 1 viti ishte mëngjesi më i rëndë që mund ta përjetojë një trup njeriu. Ishte mëngjes i errët për mua, familjen time si dhe familjarët e 45 engjujve tjerë që humbën jetën.

Dita ditës dhimbja më e rëndë për juve motër dhe dhëndër. U takofshim aty ku është jeta e përhershme dhe Xheneti të jetë vendtakimi jonë i ardhshëm”, ka shkruar Selami.

Ndërkohë, autoritetet në Maqedoninë e veriut dhe në Bullgari kanë bërë hetime dhe është nisur një prces gjyqësor që është duke vazhduar.

Më 25 janar  të ktij viti, shefi i shërbimit hetimor të prokurorisë bullgare, Borislav Sarafov deklaroi se hetimi për aksidentin tragjik kishte përfunduar. Arsyeja për tragjedinë, sipas Serafov, është se shoferi ka humbur kontrollin e autobusit i cili ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, dhe me shpejtësi të papërshtatshme të rrugës. Konkluzioni nga hetimi është se arsyeja e vetme është gabimi njerëzor i shoferit.

Ndërkohë, më 5 shtator, Prokuroria e Shkupit ngriti aktakuzë kundër pronarit të autobusit të “Besa Trans”, Bekim Haxhiu për falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar. Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur më 15 nëntor, Bekim Haxhiu para gjykatës tha se e kupton akuzën, por nuk ndihet fajtor. Procesi gjyqësor është duke vazhduar. /SHENJA/