(VIDEO) Fajton-Osmani: Maqedonia e Veriut deri në 2030-ën pjesë e BE-së

(VIDEO) Fajton-Osmani: Maqedonia e Veriut deri në 2030-ën pjesë e BE-së

Shefja e diplomacisë sllovene, Tanja Fajon, ka uruar sot nga Shkupi Qeverinë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut për suksesin historik me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani deklaroi se përkrah anëtarësimin e vendit me të drejta të plota deri në vitin 2030, një synim që është realist, nëse të gjithë qytetarët janë në këtë rrugë.

Ajo theksoi se do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që vendi të vazhdojë në këtë rrugë pa pengesa dhe në të njëjtën kohë të mos rrezikohet gjuha maqedonase.

TANJA FAJON, MINSITRE E PUNËVE TË JASHTME E SLLOVENISË

“Dëshmi e tillë është nënshkrimi i fundit i marrëveshjes me FRONTEX, ku gjuha maqedonase shumë qartë do të jetë gjuhë prioritare. Po të bëj një krahasim, kemi pasur edhe përvoja të dhimbshme, është dashur të bëjmë role të vështira kompromisi, por ia kemi arritur qëllimit. Do të duhet shumë përpjekje, sigurisht që në Raport është shprehur qartë se cilat janë pikat problematike ku duhet të përqendrohemi më shumë”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas takimit, deklaroi se edhe Fajon mendon se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Nuk është vetëm këndvështrimi im, por është një këndvështrim dhe perspektivë që ndajnë shumë njerëz, shumë njerëz që vlerësojnë se viti 2030 mund të jetë ai vit, nëse arrijmë një konsensus politik dhe vazhdojmë pa ndërprerje në aktivitetet diplomatike. Konkluzioni i përgjithshëm është se viti 2030 mund të jetë realisht viti i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Në raport, Komisioni Evropian negociatat i vlerësoi si moment historik dhe këtu do të jetë veçanërisht e rëndësishme përvoja dhe mbështetja sllovene në procesin tonë negociator, theksoi Osmani.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/