(VIDEO) Epidemi Fruthi në Shkup, fëmijët e pavaksinuar nuk shkojnë në çerdhe

(VIDEO) Epidemi Fruthi në Shkup, fëmijët e pavaksinuar nuk shkojnë në çerdhe

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur gjendje epidemie të fruthit në territorin e Shkupit për shkak të paraqitjes së 12 rasteve të reja. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe tha se 6 raste janë konfirmuar në bazë të analizave të duhura, ndërsa për 6 rastet e tjerë pritet që nesër të dalin rezultatet nga analizat. Filipçe tha se shumica e të sëmurëve janë fëmijë, por ka edhe të rritur, të cilët nuk janë vaksinuar kundër fruthit, me vaksinën MRP. Nga rastet e reja ka nga një të sëmurë në Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, 2 në Butel. Nga rastet e dyshimta 2 janë në Aerodrom, 1 në Qendër, Butel dhe Gjorçe Petrov.

Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë
“Sot do të shpallim epidemi të fruthit në Shkup dhe jemi të detyruar që sipas neni 56 dhe 57 të ligjit për mbrojtje nga sëmundje ngjitëse, që  prej nesër të sjellim masë të përkohshme-ndalesë që të dërgohen nëpër çerdhe fëmijët të cilët nuk janë të vaksinuar me vaksinën MRP. Rrethanë e mirë në këtë rast është se fëmijët në këtë periudhë, nuk shkojnë në shkollë, sepse janë në pushim dimëror”.

Tetë nga të sëmurët janë tashmë të shtrirë nëpër spitale në Klinikën Infektive dhe të gjithë janë me komplikime me bronkitis. Dy janë në gjendje më të rëndë. Mes të prekurve ka edhe një foshnje 8 muajshe dhe fëmijë në moshë prej 3,5 deri në 4 vjet. Ka edhe një të rritur në moshën 31 vjeçare.

Mjeku Zharko Karaxhovski nga Instituti për Shëndet Publik kujtoi se Maqedonia nuk ballafaqohet për herë të parë me këtë sëmundje, pasi në të kaluarën, ka patur mbi 12 mijë të infektuar dhe afro 1200 të vdekur. Mjeku tha se gjithë ky infektim është si pasojë e mungesës së vaksinimit dhe nga fushatat kundër vaksinimit kinse ato janë të dëmshme.

Zharko Karaxhovski,  Instituti për Shëndet Publik
“Pjesa e asaj fushate është shumë e përhapur, aq në vile të lartë saqë prindët e zgjedhin variantin, të mos i vaksionojnë fëmijët deri sat ë filloj të flasë dhe të ecë. Pse, sepse mund të fitoj autizëm,kjo është totatlisht gabim”.

Nga 15 mijë fëmijë të pa vaksinuar që ishin paralajmëruar, vetëm 300 janë vaksinuar ndërkohë dhe ky është një numër tejet i vogël. Filipçe kujtoi se në disa shtete fqinje ka edhe raste tragjike të fëmijëve të vdekur nga epidemitë, edhe atë në Serbi kanë vdekur 30 persona, kurse në Rumani 50.

Emine Ismaili /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=sfQIJJtS8qk