(VIDEO) “E Majta” paralajmëron iniciativë për referendum

(VIDEO) “E Majta”  paralajmëron iniciativë për referendum

LSDM nuk pati guxim të përballet me popullin dhe verdiktin e popullit, jo vetëm për Marrëveshjen me Bullgarinë por edhe për politikat e tyre qeverisëse. Kështu thotë VMRO DPMNE pas refuzimit të nismës së tyre për referendum nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, të cilin e quajnë vetëm shërbëtor të pushtetit LSDM-BDI. Nga partia opozitare thonë se pushteti e dinte se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe nuk guxuan të lejojnë që 1 milion qytetarë të marrin pjesë në të.

ELI PANOVA, VMRO DPMNE
“Mbi 60% e maqedonasve përkrahnin referendumin dhe do të merrnin pjesë në të. Shumica dërmuese e tyre do të votonin për zhbërjen e Marrëveshjes me Bullgarinë, ndërsa pushteti u frikësua nga kjo. LSDM-ja anti-maqedonase e dinte se nëse ka referendum dhe dalin 1 miljon bashkëqytetarë tanë, ajo do të ishte fund jo vetëm i Marrëveshjes me Bullgarinë dhe gjithë politikave të tyre, por edhe për Qeverinë dhe partinë”.

Partia “E Majta” nga ana tjetër paralajmëron se do të dorëzojë tjetër nismë për referendum. Ata nuk heqin dorë nga ky qëllim dhe paralajmërojnë kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se nëse e refuzon edhe këtë nismë, ata bashkë me VMRO DPMNE-në do të paralizojnë plotësisht punën e Kuvendit.

BORISLLAV KRMOV, LEVICA
“Nëse kryeparlamentari Xhaferi guxon ta refuzojë edhe këtë nismë, ne si parti “E Majta” do të nisim bllokim të plotë të Kuvendit. Kemi marrëveshje me VMRO DPMNE-në, bashkë me resurset e tyre do të shkaktojmë paralizë të plotë të shtëpisë ligjvënëse”.

VMRO DPMNE-ja dorëzoi në Kuvend nismë për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim të organizimit të referendumit për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Kryeparlamentari Talat Xhaferi e refuzoi nismën duke e vlerësuar si kundër kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuta parashikon që marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, siç është Marrëveshja me Bullgarinë, nuk mund të ndryshohen me ligj. /SHENJA/