(VIDEO) Dy muaj alarme për bomba, Komisioni parlamentar diskuton për punën e Agjencisë së Sigurimit

(VIDEO) Dy muaj alarme për bomba, Komisioni parlamentar diskuton për punën e Agjencisë së Sigurimit

Tashmë 2 muaj  Maqedonia e Veriut si shumë vende të Ballkanit Perëndimor po ballafaqohet me alarmet e rrejshme për bomba. Gjatë ditës së sotme në një shkollë në Ohër ka pasur denoncim për mjet eksploziv të vendosur, i cili pas kontolleve nga ana e MPB-së ka rezultuar të jetë i rrejshëm. Gjatë ditës së djeshme mbi 20 shkolla kanë pranuar alarme të rrejshme për bomba. Që nga rasti i parë i denoncuar MPB, ka kryer hetimet e nevojshme dhe nga atje thonë se të njëjtat janë pjesë e luftës hibride të Rusisë, pas agresionit ndaj Ukrainës.

Ndërsa, sot pasdite me dyer të mbyllura ka filluar seanca e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe Agjencisë së Inteligjencës për rastin “Onishçenko”. Në seancë është i pranishëm edhe drejtori i ri i ASK-së, Zharko Milloshevski.

Komisioni do të mbajë dy seanca. Në seancën e parë do të shqyrtojë rolin e ASK-së në kontrollin e sigurisë së Aleksandër Onishçenkos, kur ka dhënë mendim pozitiv për marrjen e nënshtetësisë maqedonase.

Pas përfundimit të kësaj seance, anëtarët e Komisionit do të zhvillojnë një seancë të re në lidhje me informimin për aktivitetet e ndërmarra nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare në lidhje me zhvillimet aktuale me raportime për bomba të vendosura në shkolla, qendra tregtare dhe objekte të tjera.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/