(VIDEO) Drejtori i ri i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare pritet që të zgjidhet të mërkurën

(VIDEO) Drejtori i ri i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare pritet që të zgjidhet të mërkurën

Drejtori i ri i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare pritet që të zgjidhet të mërkurën. “Po në 24 ditët e ardhshme ASK-ja do të ketë drejtor të ri i cili duhet të jetë profesionist”, deklaroi Kovaçevski. Kreu i Qeverisë, sot u pyet nga gazetarët për atë se çfarë do të bëhet me drejtorin aktual të Agjencisë, Viktor Dimovski, i cili është në qendër të kritikave për shkak të dhënies së mendimit pozitiv për dhënien e shtetësisë së oligarkut prorus ukrainas Oleksander Onishçenko.

Kryeministri deklaroi se të mërkurën Dimovski është ftuar të raportojë në Qeveri për këtë rast. Seanca e Qeverisë do të jetë e mbyllur. Kovaçevski gjithashtu tha se ASK do të ketë drejtor të ri së shpejti.

Ndërkohë, dy pjesëtarë të Agjencisë Nacionale për Siguri, të cilët janë pjesë e repartit për bashkëpunim strategjik, janë suspenduar për shkak rastit me biznesmenin ukrainas, i cili ka qenë në listën e zezë të SHBA-së për shkak përzierjes në procesin zgjedhor.

Drejtori Dimovski gjatë raportimit në Kuvend, theksoi se miratimi për shtetësinë u dha nga një zyrtar i agjencisë i cili nuk e ka kryer konsultimin e nevojshëm me partnerët e NATO-s, para se të japë pajtueshmëri se nuk ka rrezik për sigurinë.

Ndërkohë, deputeti nga radhët VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, në profilin e tij në Facebook ka publikuar një tekst nga WikiLeaks, ku shkruhet se drejtori i Viktor Dimovski, ka qenë “burim i besueshëm në vitin 2001”, por se ka pasur zëra se ai është “në xhepin e Serbisë”.

Deputeti Kovaçki ka deklaruar se këtë person, kryeministri Kovaçevski e mban ende në detyrë edhe pasi deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan përgjegjësinë prej tij.   /SHENJA/