` . (VIDEO) Dita e dytë e zgjedhjeve, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit - TV SHENJA

(VIDEO) Dita e dytë e zgjedhjeve, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

Në ditën e dytë të votimeve në Maqedoninë e Veriut, votojnë personat e sëmurë, të pafuqishëm dhe personat e sëmurë kronik, të cilët janë paraqitur për votim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të drejtën e votës e shfrytëzojnë edhe të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, në shtëpitë e pleqve dhe gjashtë  persona shpërngulës të brendshëm. Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani tha se të dhënat e KSHZ-së flasin për 8.843 të sëmurë, të pafuqishëm dhe të sëmurë kronik, paraqitjet e të cilëve janë pranuar nga KSHZ.

Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së
Sot të drejtën e votës do të mund ta realizojnë këto kategori të votuesve: të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe personat që po e zbatojnë masën paraburgim shtëpiak, votues që ndodhen nëpër institucione ndëshkuese-përmisuese , votuesit që ndodhen në institucionet e kujdesit dhe personat e zhvendosur brenda vendit. “

Votimi ka filluar edhe në 13 institucione ndëshkuese-përmirësuese, ku në librat amë të veçantë, të Listës zgjedhore janë regjistruar 1.657 votues, si dhe persona të paraqitur në arrest shtëpiak. Votojnë edhe 357 persona  në 17 shtëpi të pleqve.  Votimi i këtyre personave bëhet nga ana e  këshillave zgjedhorë, si zakonisht deri më tani, me atë që edhe anëtarët e këshillave, por edhe personat që janë paraqitur të votojnë  në mënyrë të obligueshme duhet t’i respektojnë masat e përgjithshme parandaluese për mbrojtje nga Kovid-19.
Sipas Kodit zgjedhor dhe udhëzimeve të sjellura nga KSHZ, qytetarët  fletvotimet e tyre duhet t’i shënojnë  me rrethimin e numrit rendor të bartësve  të listës me stilolaps kimik në ngjyrë të kaltër. Asnjë  shenjë tjetër  nuk guxon  të vendoset  në fletvotim  sepse në rast të tillë,  do të llogariten si të pavlefshme.
Dje në ditën e  parë të votimit kanë votuar 723 persona të sëmurë me Covid 19 nga gjithësej 759 të paraqitur.

Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së
“Gjatë ditës së djeshme të drejtën e tyre të votës e realizuan gjithsej 723 persona të cilët janë pozitiv me Covid 19, ose janë në vetëizolim.

Nga votimi i djeshëm dhe i sotëm, KSHZ nuk publikon rezultate, por vetëm numrin e jehonës. Fletëvotimet mbesin  në zarfe të cilat gjenden në kutitë e votimit deri në ditën e zgjedhjeve, përkatësisht deri në përfundimin e votimit. Kutitë e njëjta përdoren  për votimin e sotëm të të sëmurëve dhe të personave të pafuqishëm, ndërsa zarfet do të  hapen  dhe votat do të numërohen nesër  së bashku me të tjerat. Zgjedhjet për deputetë në Kuvend  mbahen  me rekomandim të obligueshëm për respektim të masave për mbrojtje nga Kovid-19.

Ajnur Bafqari /SHENJA/